Reperi i njohur shqiptar, Arkimed Lushaj – Stresi, është kthyer në një prej personazheve më të përfolur të momentit në media.
Ai aktualisht ndodhet në arrati, pasi është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, teksa në Shqipëri gjendet edhe një kërkesë për ekstradimin e tij – e cila është nënshkruar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
E ndaj kësaj të fundit, reperi me origjinë nga Tropoja ka bërë një tjetër reagim nga arratia, duke shkruar në InstaStory se është më mirë që të merret me ekstradimin e trupit të Faton Hajrizit, se sa me të dhe Noizyn.
“Nuk më takon me fol për çështjet e brendshme të Kosovës, por ma mirë ekstrado trupin e Fatonit sesa me u marrë me ne. Sa njerëz rrihen çdo ditë si anej si knej a duhet me i ekstradu? Hajgare s’te vjen marre. Kjo është më shumë ego e jotja se sa drejtësi”, ka shkruar Lushaj në InsatStory.
Tutje, ai ka bërë një reagim edhe për Njësinë Fast Albania ku ka shkruar: “Kujdes, mos i hipni kalit mbraspht ju sugjeroj mos u afroni se do bëhet nami kaq po ju them…Ju keni punën tuaj respekt, por të vini dhe të më kapni veç pse i teket ministres jo, s’do ta lejoj. S’kam fjetur që dy vjet gjumë rehat prej sharjeve e kërcënimeve, çohet kjo zdralica thotë ekstradim, a thua kemi vra njerëz. Në Shqipëri më njeh e gjithë Policia e Shtetit (gëzoj respekt edhe për ata) por s’do t’i lejoj veç pse i teket ministres. Shko bëj biznes me serbët, pastaj lija gjykatës këto punë e bashkëpunonim e Gjykatën e Tiranës, zgjidhni problemin”.
Ndryshe nga Stresi, Noizy është arrestuar në Shqipëri dhe tashmë po mbahet në arrest me burg nga Gjykata e Tiranës për qëllime ekstradimi në Kosovë.
E gjithë kjo çështje ka të bëjë me një konflikt të ndodhur jashtë një diskoteke në Pejë, ku Stresi dhe Noizy thuhet se u përfshinë në një konflikt me influencuesin e rrjeteve sociale, Medi Iseni. /Telegrafi/