Telegrafi

Stoltenberg tregon pse NATO nuk ka bërë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë

Kreu në largim i NATO-s thotë se aleanca mund të kishte bërë më shumë për të armatosur Ukrainën në përpjekjet për të parandaluar pushtimin e Rusisë në vitin 2022.

Jens Stoltenberg, i cili do të largohet nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në muajin tetor, i tha gazetës javore gjermane FAS se “tani ne ofrojmë ndihmë ushtarake për një luftë – më parë mund të kishim ofruar ndihmë ushtarake për të parandaluar luftën”.

Ai tha se aleanca kishte hezitim për t’i ofruar armët që Kievi po kërkonte para pushtimit të Rusisë, nga frika se tensionet do të përshkallëzoheshin, shkruan skynews.

Pas fillimit të luftës, Ukraina, e cila nuk është anëtare e NATO-s, mori një sistem armësh prej aleatëve pas hezitimit fillestar të tyre.

Stoltenberg tha se fundi i luftës në Ukrainë do të arrihet vetëm në tryezën e bisedimeve.

“Për t’i dhënë fund kësaj lufte do të duhet të ketë përsëri dialog me Rusinë në një fazë të caktuar. Por, ai duhet të bazohet në kushtet e Ukrainës”, tha ai.

Stoltenberg, i cili ka qenë Sekretar i Përgjithshëm që nga viti 2014, do të pasohet nga ish-kryeministri holandez Mark Rutte.

Norvegjezi pas largimit nga posti i shefit të aleancës ushtarake më të madhe në botë, pritet ta merr rolin e udhëheqësit të Konferencës më të madhe të sigurisë, atë të Munichut. /Telegrafi/