Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot se përshëndet bisedimet për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës për të goditur brenda territorit rus, por çdo vendim sipas tij për këtë çështje duhet të merret nga aleatët individualë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u është lutur aleatëve për muaj të tërë që të lejojnë Ukrainën të lëshojë raketa perëndimore, duke përfshirë ATACMS të SHBA-së me rreze të gjatë dhe Storm Shadow të Britanisë së Madhe, thellë në Rusi për të kufizuar aftësinë e Moskës për të nisur sulme.
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti i SHBA, Joe Biden, zhvilluan bisedime në Uashington të premten nëse do të lejohej që Kievi të përdorte raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në Rusi. Nuk u shpall asnjë vendim, transmeton Telegrafi.
“I mirëpres këto zhvillime dhe këto vendime, por mbetet te aleatët individualë që të marrin vendimet përfundimtare. Aleatët kanë politika të ndryshme për këtë”, tha Stoltenberg për radion LBC.
Disa zyrtarë amerikanë janë thellësisht skeptikë se lejimi i përdorimit të raketave të tilla, do të bënte një ndryshim të rëndësishëm në betejën e Kievit kundër pushtuesve rusë.
Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Perëndimi do të luftonte drejtpërdrejt Rusinë, nëse do të lejonte Ukrainën të godiste me raketa me rreze të gjatë veprimi të prodhimit perëndimor.
I pyetur për një hakmarrje të mundshme ruse, Stoltenberg tha se nuk ka “asnjë opsion pa rrezik në luftë”.
“Por unë vazhdoj të besoj se rreziku më i madh për ne, për Mbretërinë e Bashkuar, për NATO-n, do të jetë nëse presidenti Putin fiton në Ukrainë”, shtoi ai. /Telegrafi/