Telegrafi

Stoltenberg: NATO do të ndihmojë Ukrainën të modernizojë ushtrinë e saj

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, premtoi se Aleanca do të angazhohet për ndihmë të mëtejshme për modernizimin e ushtrisë ukrainase në samitin që do të mbahet në korrik në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.

Në një deklaratë të botuar në gazetën gjermane Tagesspiegel, Stoltenberg tha se aleatët do të miratojnë një paketë ndihme shumëvjeçare në samit për ta sjellë Ukrainën në standardet e NATO-s, transmeton Telegrafi.

Ai tha se NATO do të ndihmojë ushtrinë ukrainase në kalimin nga një ushtri e bazuar në modelin e vjetër sovjetik, në një forcë moderne që vepron sipas standardeve të NATO-s.

Lexo po ashtu Ukraina thotë se dëmi nga shembja e digës Kakhovka kap shumën e 1.2 miliardë eurove

Stoltenberg tha se pas muajsh trajnimi ushtarak mbi pajisjet e NATO-s, Ukraina po e kthen territorin e saj të pushtuar nga forcat ruse.

Kreu i Aleancës më të madhe ushtarake theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për vendin, i cili ka qenë në mbrojtje kundër një Rusie agresore që kur Moska nisi një pushtim në shkallë të gjerë shkurtin e kaluar.

Ai bëri të ditur vështirësitë e kundërofensivës, duke përfshirë terrenin e vështirë dhe pozicionet e ngulitura mbrojtëse ruse, duke përfshirë fushat e minuara dhe kurthe tankesh.

Vendet anëtare të NATO-s do të takohen në samitin e 11 dhe 12 korrikut. Ata pritet të diskutojnë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. /Telegrafi/