Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë arena e ndeshjes debutuese të Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian, ‘Euro 2020’.
Kundërshtari i parë i Përfaqësueses tonë do të jetë Bullgaria, në ndeshjen e të hënës mbrëma (25 mars) që fillon nga ora 20:45.
Është hera e parë që këto dy përfaqësuese ndeshen me njëra-tjetrën, derisa Kosova luan ndeshjen e parë kualifikuese në një Kampionat Evropian.
Vlen të theksohet se skuadra jonë përfundoi në krye të Grupit 3 në Ligën D të Ligës së Kombeve, derisa Bullgaria për herë të fundit në një Kampionat Evropian është kualifikuar në vitin 2004.
Kosova do t’i qaset kësaj ndeshjeje pas një paraqitjeje mbresëlënëse në sfidën miqësore ndaj Danimarkës, e cila u mbyll me rezultat të barabartë (2-2).
Në kuadër të përgatitjeve për sfidën e të hënës, Përfaqësuesja e Kosovës të shtunën ka mbajtur seancë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përzgjedhësi Bernard Challandes është duke e bërë planin e tij në bazë të lojtarëve që i ka në dispozicion për lojën që do ta zhvillojë të hënën mbrëma, në përpjekje për të nxjerrë rezultat pozitiv.
Ekipi do të vazhdojë me stërvitje edhe të dielën, kur do të mbahet edhe konferencë për media nga drejtuesit e të të dyja përfaqësueseve. /Telegrafi/