Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se aktakuza ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për armëmbajtje pa leje, është mesazhi më i keq që sot mund ta kenë marrë nxënësit e shkollave të Kosovës.
Në llogarinë e tij në Facebook ai ka shkruar se në vend që ministrja të ishte shembull i luftimit të dukurive negative, ajo sot i ka dhënë mesazhin më të keq të mundshëm nxënësve kosovarë.
“Të gjithë pajtohemi se sot në shkollat tona problemet më të mëdha janë dhuna dhe bullizmi. Dhe, pikërisht ajo që do të duhej të ishte në krye të kauzës kundër këtyre dy dukurive të këqija, sot është protagonistja më e keqe për to. Pra, imagjinoni, MINISTRJA E ARSIMIT KA AKTAKUZË PËR MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR TË ARMËVE. Fatkeqësisht, për nxënësit tonë, nuk mund të ketë mesazh më të keq sesa ky”, ka thënë Stavileci.
Lidhur me aktakuzën ka reaguar edhe vet Nagavci.
Ajo ka thënë se është e papranueshme që institucionet përgjegjëse nuk e kanë njoftuar së pari atë, por mediat.
“Nga mediat jam njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj meje, për çka duhet të shpreh keqardhje se si është e mundur që institucionet përgjegjëse të mos njoftojnë personin ndaj të cilit është ngritur aktakuza para çdokujt tjetër”.
Ministrja e Arsimit megjithatë thotë se sot është edhe më shumë e bindur se kundërshtimi dhe rezistenca ndaj “Zajednicës” e “Demarkacionit” ishte i domosdoshëm.
“Për aq sa u njoftova nga mediat, aktakuza ka të bëjë me angazhimin tonë në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme, përkatësisht ‘’Zajednicë’’ e ‘’Demarkacion’’, njëra që cungonte sovranitetin, tjetra territorin e Kosovës. Nëse asokohe isha e sigurt, sot në vitin 2022 jam edhe më e bindur se kundërshtimi dhe rezistenca përveçse i drejtë ishte edhe i domosdoshëm”, tha ajo, përcjell Telegrafi.