Telegrafi

Statujat e personazheve nga “Breaking Bad” nxisin reagime në New Mexico: Po i lavdërojmë tregtarët e drogës

(Foto: Outsider)

Vendimi për të ngritur dy statuja të personazheve të “Breaking Bad”, Walter white dhe Jesse Pinkman, në Qendrën e Konventave në Albuquerque në New Mexico, ka shkaktuar shqetësim te disa konservatorëve të atjeshëm.

Statujat u zbuluan më 30 korrik në një ceremoni ku morën pjesë dy aktorët protagonistë, Bryan Cranston dhe Aaron Paul, pastaj autori i serialit, Vince Gilligan dhe kryetari i bashkisë së Albuquerque, Tim Keller.

Gilligan tha se nderimi i “dy tregtarëve të trilluar famëkeq të metamfetaminës” nuk do të pëlqehet nga të gjithë në New Mexico dhe rezultoi se ka pasur të drejtë.

(Foto: Getty Images)

Disa përfaqësues konservatorë, si Eddie Aragon e Rod Montoya, janë në mesin e figurave publike që e kanë dënuar vendosjen e këtyre statujave.

“A po shkojmë në rrugën e lavdërimit të prodhuesve të metamfetaminës”, ka thënë Montoya, derisa Aragon është shprehur: “Ky nuk është lloji i njohjes që duam për qytetin e Albuquerque ose për shtetin tonë”, duke shtuar se ajo që shfaqet në serial është në fakt një realitet në vendin e tyre.

Kryetari i bashkisë së Albuquerque, Tim Keller, ka theksuar se është e përshtatshme të ngrihen statujat e “Breaking Bad” duke pasur parasysh ndikimin pozitiv ekonomik që shfaqja ka pasur në qytet gjatë viteve. /Telegrafi/