Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten e kaluar Projektligjin për Fondin Sovran.
Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë së premtes e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj. Ndërkaq i njëjti Ligj ishte paralajmëruar se do të dërgohet në Gjykatë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Për këtë ka reaguar deputetja e LVV-së, Jeta Statovci.
Përmes një shënimi në Facebook, ajo thotë se LDK dërgoi Fondin Sovran në Kushtetuese, kurse në 2020, e votoi vet si pjesë të programit qeverisës.
“Në bazë të Global SËF, janë 175 Fonde Sovrane në mbarë botën, përfshirë këtu vende sikurse Slovenia, Greqia, Irlanda, Norvegjia etj. Por, ky fakt, s’po e ndalon dot LDK-në që dorë për dore me PDK-në, të marrë udhë tek Gjykata Kushtetuese, të cilën, po e konsiderojnë si zyrë ankesash për defetizmin e shterpësinë e ideve që i ka kapluar”, ka shkruar Statovci.
Ajo thotë se Fondi Sovran e ruan pronësinë e aseteve strategjike të vendit për t’i kthyer në një të mirë publike, duke përmirësuar gjendjen e operimit te brendshëm dhe duke u hapur ndaj kapitalit të ri.
“Ka shumë raste të vendeve të zhvilluara që kanë përdorur pikërisht fonde të ngjashme”, ka shtuar Statovci.
Ajo thotë se në të kaluarën asetet publike janë keqmenaxhuar, duke përmendur rastin e Telekomit.
“Ne vitin 2011, kishte 51.5 milion fitim, kurse në vitin 2016 shënoi humbje 51.1 milion euro. PËR VETEM 5 VITE, DIFERENCË PER 102.6 MILION EURO, ky është talent i vecantë shkatërrues. Kurse tani, Telekomi raporton fitim neto 5.9 milion euro (janar-nentor 2023)”.
“Këto plaçka historike financiare, në vend se të çohen në Prokurori, po çohen reformat zhvillimore në Kushtetuese”, vijon tutje Statovci.
Sipas deputetes së shumicës, Fondi Sovran ndërlidhet me sektorin privat përmes dy shtigjeve të rëndësishme: (1) hap rrugë që kapitali privat të futet në ndërmarrjet e Fondit dhe (2) u jep mundësi kompanive private të përfitojnë nga kapitali i Fondit.
“E gjitha kjo, i bie që bën keqpërdorimi, hipokrizia, pengimi i zhvillimit të vendit kur kjo lidhet me luftë politike etj. Ka humbur Kosova me këtë mendësi”, ka deklaruar Statovci./Telegrafi/