Site icon Telegrafi

Starova: Krijuam më shumë, por Gjilani luftoi për të marrë pikë

Gjilani dhe Feronikeli kanë luajtur pa gola 0-0 në ndeshjen hapëse të javës së 27-të.

Skuadër më e mirë në fushë ishte Feronikeli që pati disa raste shënimi por dështuan para portierit Donat Kaçiu.

Trajneri i Feronikelit, Sulejman Starova ka thënë se është i kënaqur me lojën e skuadrës së tij por jo me rezultatet.

“Jam i kënaqur nga loja në përgjithësi e të dy skuadrave. Futbollistët e kanë luajtur një lojë me shpirt. Ndërsa, ne kemi krijuar disa raste me shumë se kundërshtari, ishim më afër fitores, por kundërshtari luftoi për të marrë pikë dhe arriti”.

“Vazhdoj të jem i kënaqur me lojën, por jo me rezultatet. Por, e rëndësishme shumë është kur loja është e mirë. Do të ishte problem i madh kur nuk i krijon rastet. Kur i krijon pastaj është për t’u parë, duhet punë, por nuk është kollaj. Po vuajmë pak para portës, duke filluar nga ndeshja me Llapin. Po punohet në këtë drejtim me të gjitha forcat për t’i korrigjuar të metat e individit dhe skuadrës”, tha Starova.

Tutje trajneri nga Tirana tha se në Superligën e Kosovës ka konkurrencë të madhe dhe kjo po sjell edhe barazimet e shumta.

“Barazimet e shumta janë frytë i konkurrencës që ka Superliga. Shihni pikët e skuadrës së parë me të fundit. Edhe ekipet tjera nuk janë larg nga kualitet. Ky është fakti pse është një situatë e tillë, pasi ka shumë skuadra me diferencë të vogël”, deklaroi Starova. /Telegrafi/

Exit mobile version