Lokacioni: ArenA Boulevard 1, 1101 AX Amsterdam, Holandë
Kapaciteti: 55.500 (ndeshje futbolli)
Rekordi i pjesëmarrjes: 54.874 (Ajax 1–2 Real Madrid, 13 shkurt 2019)
Johan Cruyff ArenA është stadiumi kryesor në kryeqytetin holandez, Amsterdam dhe është shtëpia e klubit të Ajaxit.
I ndërtuar nga viti 1993 deri në vitin 1996 për një shumë ekuivalente me 140 milionë euro, është stadiumi më i madh në Holandë. Deri në sezonin 2018/2019 është quajtur Amsterdam ArenA, kur edhe u emërtua sipas legjendës holandeze të futbollit, Johan Cruyff.
Ka një kapacitet prej 55.500 vendesh gjatë ndeshjeve të futbollit, ndërsa 68.000 njerëz mund të pozicionohen në tribuna në rast të koncerteve me skenën e vendosur në qendër të stadiumit. Ka statusin prej pesë yjesh të UEFA-s.
Është njëri nga stadiumet e shfrytëzuara gjatë ‘Euro 2000’, si dhe në këtë arenë është zhvilluar finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 1998, si dhe finalja e Ligës së Evropës në vitin 2013.
Në kuadër të Kampionatit Evropian, ‘Euro 2020’, ‘Johan Cruyff ArenA’ do të jetë nikoqir i tri ndeshjeve grupore dhe një takimi të 1/8 së finales.