Rreth 40 sportistë elitarë të prirë nga kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi dhe Shpresat Olimpike 2020 kanë vazhduar sot (e premte) me seancën e dytë të seminarit ndërkombëtar për shkathtësi mentale, i cili po organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Seminari po udhëhiqet nga trajnerët e organizatës australiane Optimization HUB: Graziella Thake, Elda Gjoka, Mel Roche dhe Paul Hutch. Sportistët përmes diskutimeve të ndryshme shprehën sfidat e tyre nëpër të cilat kanë kaluar gjatë muajve të pandemisë Covid-19, me ç’rast prej tre muajsh janë ndaluar aktivitetet sportive.
Trajnimet që po zhvillohen ndarazi në dy grupe, po mbahen ‘online’ përmes platformës ‘Zoom”, derisa po monitorohen edhe nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.
Në grupin e parë të sportistëve elitarë ndodhen: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova (xhudo), Egzon e Edon Shala (mundje), Albin Tahiri, Arbi Pupovci, Fiona Rrusta (skitari), Donjeta Sadiku (boks), Herolind Nishevci, Elhami Shabani, Fortesa Orana (karate), Musa Hajdari, Astrit Kryeziu, Vijona Kryeziu (atletikë), Dasar Xhambazi, Fjorda Shabani (not), Atdhe Luzhnica (shigjetari) dhe Drilon Ibrahimi, Urata Rama (shenjëtari).
Në grupin e dytë janë Shpresat Olimpike 2020: Laura Fazliu, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi, Erza Muminoviq (xhudo), Albulena Gërvalla, Melos Gashi, Betim Maliqi (karate), Muhamet Rama, Alaudin Suma, Albina Deliu (atletikë), Arti Krasniqi, Eda Zeqiri (not), Patriot Behrami, Shpëtim Bajoku, Besart Pireva (boks), Edi Dvorani (shigjetari), Fatih Karabaxhaku (pingpong), Drin Kokaj (skitari), Don Berisha, Tringa Krasniqi (taekwondo).
Seanca e radhës mbahet të premten e ardhshme, ndërsa seminari zgjatë katër javë.