Pavarësisht që Kosova nuk ka deti, zyrtarisht e ka të regjistruar një kompani që ofron shërbime për shitjen e anijeve. Jo vetëm kaq, kjo kompani ofron edhe shërbime për shitjen e aeroplanëve. Pronari i kësaj kompanie është Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, raporton portali “Infokusi”.
Arban Abrashi i cili mban dy pozita të larta qeveritare, atë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, është edhe një biznesmen i fuqishëm. Të paktën kjo mund të thuhet bazuar në aktivitetet e shënuara në certifikatën zyrtare të biznesit të tij personal, të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Bizneseve në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë.
Kompania e tij, “Laris Group” Sh.p.k., e regjistruar me 29.06.2011, merret më dhjetëra aktivitete biznesore, të cilat janë krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra. Duke filluar nga tregtia me shumicë e pijeve, ambalazhim, prodhim të energjisë elektrike, ndërtim të objekteve banesore dhe jo banesore, instalime elektrike, instalime të tjera ndërtimore, punime suvatimi, aktivitetet e ndërmjetësimit për shitjen e makinerive, pajisjeve industriale, anijeve dhe aeroplanëve, tregtia me shumicë jo e specializuar dhe aktivitete të tjera.
Portali “Infokusi” ka dhjetë ditë që ka kërkuar nga Ministri Abrashi që të japë informacione lidhur me këtë biznes privat të tij, por ai nuk është përgjigjur.
I kontaktuar nga redaksia e portalit “Infokusi” përmes telefonit, ministri Abrashi ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen përmes postës elektronike dhe ka premtuar së shumë shpejtë do të përgjigjet, por një gjë të tillë nuk e ka bërë fare tash e dhjetë ditë.
Kryeministri Isa Mustafa, Arban Abrashit përveç postit të ministrit ia ka besuar edhe postin e zëdhënësit të Qeverisë, që e ngarkon me përgjegjësi për të qenë në dispozicion të gazetarëve për të gjitha pyetjet lidhur me qeverinë, por ai nuk gjen kohë të përgjigjet as në pyetje që kanë të bëjnë personalisht më të.
Portali “Infokusi” po ashtu i ka dërguar pyetje edhe Agjencisë Kundër Korrupsionit për të marrë përgjigje a mund të jetë në konflikt interesi Arban Abrashi, derisa mbanë postin e Ministrit dhe atë të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, dhe njëkohësisht është edhe pronar i një kompanie.
Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, neni 6, konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit, ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik.