Site icon Telegrafi

Spektakël para 90 mijë tifozëve, Real Madridi mposht Milanin me një rikthim të çmendur

Milan dhe Real Madrid kanë zhvilluar një ndeshje miqësore në stadiumin Rose Bowl në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka qenë një ndeshje spektakolare para rreth 90 mijë tifozëve të pranishëm, ku në fund Real Madridi ka triumfuar me rezultat të ngushtë 3-2.

Në fakt Los Blancos kanë fituar këtë ndeshje me rikthim, pasi në pjesën e parë ishte gjiganti italian Milan që kishte krijuar epërsi të dy golave 2-0.

Christian Pulisic harkoi bukur nga këndi derisa Fikayo Tomori realizoi për 1-0 në minutën e 25-të.

Transferimi i ri i Milanit, Luka Romero e dyfishoi epërsinë në minutën e 42-të duke realizuar një gol të bukur nga distanca për 2-0.

Rikthimi i Real Madridit ndodhi në pjesën e dytë me uruguaianin Federico Valverde që realizoi dy gola të shpejtë brenda dy minutave, në 57 dhe 59-të.

E për golin e fitores u përkujdes ylli brazilian Vinicius Junior në minutën e 84-të, ku pas një asistimi nga Luka Modric doli përballë portierit Mike Maignan dhe me lehtësi shënoi për 3-2. /Telegrafi/ 

https://www.youtube.com/watch?v=gz0-jB6wg_0&ab_channel=EGol7

Exit mobile version