Telegrafi

Mediat gjermane tregojnë planin e qeverisë për tërheqjen e specialistëve të huaj – emrat e shteteve dhe profesionet e kërkuara

Qeveria Federale e Gjermanisë gjatë ditës së hënë kishte bërë të ditur se dëshiron të tërheqë specialistë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Një vendim i tillë ishte marrë pas një takimi me komunitetin e biznesit, pas të cilit ishte nënshkruar një dokument, i cili pritet të vihet në zbatim që nga 1 marsi i vitit të ardhshëm.

Në këtë drejtim, përcjell Telegrafi, përfaqësuesit e biznesit kishin rënë dakord të mbështesin specialistët në përvetësimin e gjuhëve, gjetjen e akomodimit dhe marrëdhëniet me autoritetet.

Ndërsa Qeveria federale njoftoi se do të shpejtojë lëshimin e vizave dhe do ta bëjë më të lehtë njohjen e kualifikimeve të huaja.

“Është e domosdoshme që ne të kemi një ligj të tillë”, citohet të ketë thënë kancelarja Angela Merkel pas takimit.

Por për çfarë bëhet fjalë?

Sipas Deutsche Handwerks Zeitung, përcjell Telegrafi, sipas strategjisë së qeverisë për punëtorë të kualifikuar, pengesat më të mëdha ekzistojnë aktualisht në profesione nga fushat e matematikës, shkencave kompjuterike, shkencave natyrore dhe teknologjisë – ndërtimi, sektori i hoteleve dhe restoranteve dhe profesionet e kujdesit shëndetësor.

“Konkretisht bëhet fjalë për inxhinierët elektrikë, punëtorët e metaleve, inxhinierët mekatronikë, kuzhinierët, infermierët për të moshuarit, shkencëtarët e kompjuterëve dhe zhvilluesit e programeve kompjuterike”, shkruan ky medium, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Tanimë është zyrtare: Gjermania kërkon specialistë nga vendet jashtë BE-së, dokumenti hyn në fuqi më 1 mars

Ndërsa sa i përket vendeve nga të cilat pritet që të vijnë këta punëtorë të kualifikuar, ndër tjerash përfshijnë ata Brazili, India dhe Vietnami.

Dhe faktori vendimtar, siç thuhet tutje është që vendet e cekura janë të interesuara të punojnë me Gjermaninë.

Megjithatë, edhe specialisti më i kërkuar nuk arrin pa vizë në Gjermani.

Kështu, siç thuhet më tej, misionet diplomatike gjermane jashtë vendit që lëshojnë dokumentet janë dëshmuar deri më tani si një pengesë rrugore për në Gjermani.

Andaj, vlerësohet se procedurat e vizave tani duhet të përshpejtohen.

Në funksion të rritjes së kërkesave, “vendet e prekura” tashmë janë rritur, si për sa i përket personelit ashtu edhe hapësirës, sipas Zyrës Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë.

“Kjo na lejon të ulim në mënyrë drastike kohën e pritjes për specialistë të kualifikuar në shumë agjenci”, shkruan ndër tjerash mediumi gjerman. /Telegrafi/