Site icon Telegrafi

Spanja përgatit udhëzuesin për të ndihmuar qytetarët t’i përgjigjen rreziqeve që lidhen me një luftë të mundshme

Ndërsa tensionet ndërkombëtare përshkallëzohen, Spanja po zhvillon udhëzuesin e saj të parë për të ndihmuar qytetarët t’i përgjigjen rreziqeve që lidhen me luftën e mundshme.

Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme spanjolle, nisma është pjesë e Strategjisë së Dytë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, miratuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Për herë të parë në historinë e vendit, strategjia përfshin udhëzime se si banorët duhet të përgatiten dhe të përgjigjen në rast të një konflikti që prek Spanjën.

Bëhet e ditur se që nga pushtimi rus, Spanja ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Ukrainës, si një anëtare e NATO-s dhe si një nga vendet që ofron ndihmë të konsiderueshme për vendin e shkatërruar nga lufta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Dhe ndërsa botimi i udhëzuesit nuk tregon në asnjë mënyrë se Spanja është në prag të luftës, ai synon të pajisë publikun me njohuri dhe udhëzime jetike për skenarin më të keq.

Siç raportohet, vendimi i Spanjës pasqyron hapa të ngjashëm të ndërmarrë nga vende si Suedia, Norvegjia dhe Finlanda, të cilat tashmë kanë shpërndarë udhëzues gatishmërie për qytetarët e tyre.

Këto burime përshkruajnë veprimet që duhen ndërmarrë gjatë emergjencave, duke përfshirë këshilla për vetëmbrojtje dhe furnizimet thelbësore.

Disa nga rekomandimet në udhëzuesit e rrezikut të luftës përfshijnë grumbullimin e ushqimeve që nuk prishen, ilaçeve dhe produkteve të ngjashme që zgjasin të paktën një javë. /Telegrafi/

Exit mobile version