Telegrafi

Spalletti akuzoi Interin se nuk e lejoi të bashkohet me Milanin, Nerazzurrët ia hedhin fajin trajnerit

Luciano Spalletti (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Luciano Spalletti akuzoi Interin se vendosi ta paguante atë edhe pas shkarkimit dhe nuk lejoi bashkimin e tij me Milanin, ndërsa Interi është përgjigjur se trajneri italian nuk pranoi ofertën e tyre për të ndërprerë lidhjet me klubin.

Spalletti i tha mediumit Tuttomercatoweb.com se Milani kishte kontaktuar me të për pranimin e pozicionit në stolin e kuqezinjve pasi Marco Giampaolo u largua nga klubi në tetor.

Sidoqoftë, ish-trajneri i Romës dhe Udineses deklaroi se ai nuk mund ta pranonte ofertën e tyre për shkak se akoma ishte në listën e pagave të Interit.

“Unë jam kontaktuar nga Milani, por siç e dini, unë u pushova nga puna. Interi vendosi të më paguante për të qëndruar në shtëpi dhe unë kam qëndruar në shtëpi. Kishte një arsyetim dhe përfundoi të ishte kështu”, ka thënë Spalletti.

Megjithatë, deklaratat e trajnerit italian janë mohuar nga drejtuesit e klubit Nerazzurri.

Spalletti gjatë kohës së tij si trajner i Interit

Nerazzurrët kanë thënë se 60-vjeçari refuzoi ofertën e tyre për të ndërprerë lidhje me klubin.

“Përveç kompensimit të akorduar nga Z. Spalletti, klubi kishte propozuar një ofertë të mëtejshme ekonomike si një nxitje për t’u larguar, e cila nuk u pranua”, ka thënë një përfaqësues i klubit për agjencinë e lajmeve ANSA. /Telegrafi/