Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për çështjen e dytë ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Organet e akuzës kanë paraqitur kërkesën në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për kalimin e dosjes për gjykim ndaj Goros, Vasillaq Strakoshës dhe Jerisimo Bashit. Nga shorti elektronik i hedhur këtë të enjte, gjyqtarja Etleva Deda u caktua për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Sa i përket çështjes së parë, pritet që më 10 shkurt, në orën 13:00, të lexohen konkluzionet nga SPAK, pasi në seancën e kaluar Jorgo Goro kërkoi të gjykohej me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Po ashtu, edhe dy ish-zyrtarët e tjerë, Vezir Gjikoka dhe Jerisimo Bashko, kërkuan të gjykoheshin me të njëjtën formë, ndërsa për Bilbil Aliajn, GJKKO ka vendosur ndarjen e çështjes, pasi ai ka kërkuar gjykim të zakonshëm.
Jorgo Goro u arrestua në mars 2024, pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri.