Site icon Telegrafi

SPAK kontroll në apartamentin e Beqajt në Vlorë, ja çfarë iu gjet

Agjentët e Byrosë Kombëtare me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë shkuar në qytetin e Vlorës mesditën e së mërkurës rreth orës 12:30, me qëllimin e kontrollit të banesës së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i arrestuar pak kohë më parë për shpërdorim detyre.

Agjentetët kanë pritur tre orë pasi kanë kërkuar çelësin e banesës, por nuk është paraqitur askush. Pas tre orësh, rreth orës 15:30, kanë lajmëruar shërbimin zjarrfikës me qëllimin e hapjes së banesës me forcë.

Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se në banesë nuk janë gjetur sende të dyshimta përveç disa shisheve me verë.

Edhe pse nga avokati i Beqaj ka pasur një reagim për objektin që nuk është në pronësi të Ilir Beqaj, agjentët kanë kryer kontrollin. Sipas informacioneve, në kontrollet e mëparshme në sendet e Beqaj janë gjetur foto të objektit me të njëjtin arredim.

Ndërkohë, pas kontrollit të banesës deri në orët e pasdites (18:00), agjentët kanë kontrolluar disa garazhe në pallat. Informacionet e grumbulluara bëjnë me dije se ish-ministri parkonte një makinë pikërisht në atë pallat. Një burim tha se gjatë kontrolleve të pronave të ish-ministrit nuk është gjetur një automjet, prandaj po kërkohet edhe në garazhet e pallatit. /Telegrafi/

Exit mobile version