SpaceX dhe NASA tanimë kanë bërë realitet atë që po vlerësohet si një fillim historik.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për dërgimin e dy astronautëve të NASA-s në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Tanimë Douglas Hurley dhe Bob Behnken kanë “shpërthyer” nga SpaceX Falcon 9, duke u nisur nga Kennedy Space Center në Florida.
Pak para nisjes së tyre, atyre iu është dërguar një mesazh nga Qendra e Kontrollit në të cilin shkruante: “Dijeni se jemi me ju. Urojmë të keni një fluturim të shkëlqyeshëm dhe shijojini pamjet e planetit tonë të mahnitshëm”.
Dhe sigurisht që një përgjigje është dhënë edhe prej tyre: “Absolutisht është nder për ne të jemi pjesë e kësaj përpjekje të madhe për t’i vendosur Shtetet e Bashkuara përsëri në biznesin e rrugëtimit për në orbitë. Ne do t’ju flasim nga orbita, faleminderit”.
Ndryshe, sipas Euronews, vetëm tri vende kanë futur njerëz në orbitë që nga viti 1961: Rusia, SHBA dhe Kina.
Gjithsesi, SpaceX, e themeluar në vitin 2002 do të ishte kompania e parë private që do të dërgojë njerëzit në orbitë.
Nëse fluturimi do të jetë i suksesshëm, ai do të shënojë një moment thelbësor në eksplorimin e hapësirës me operimin e parë të një kompanie private, në një fushë, që për shtatë dekada ka simbolizuar fuqinë e një numri të vogël.
Presidenti amerikan Donald Trump është duke u përpjekur të riafirmojë sundimin amerikan të hapësirës dhe ka urdhëruar një rikthim në Hënë në vitin 2024. /Telegrafi/