Telegrafi

Southgate tregon pse nuk shkëlqeu Anglia në ndeshjen e parë, ka disa fjalë edhe për Jude Bellingham

Kombëtarja e Anglisë e ka nisur me fitore Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’, ku në ndeshjen e parë mposhti Serbinë me rezultat minimal 1-0.

Ka mjaftuar një gol nga Jude Bellingham në minutën e 12-të që ‘Tre Luanët’ të marrin tre pikët e para nga kjo ndeshje.

Megjithatë loja e Anglisë nuk është se ka bindur, pasi është pritur që ta mposhtin me rezultat më të thellë një skuadër si Serbia.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate pas ndeshjes ka thënë se është e vështirë të luhet me skuadra që gjithmonë kanë mendjen për tu mbrojtur.

Lexo po ashtu Anglia e nis me fitore në Euro 2024 dhe merr kryesimin e grupit

“Të luash përballë skuadrave që luajnë në mbrojtje është e vështirë, pasi nuk është e lehtë të krijosh raste dhe të gjesh hapësira. Megjithatë, të gjithë lojtarët tanë të sulmit bënë shumë mirë. Jam i bindur që në vijim do të arrijnë të shënojnë”, tha Southgate.

Tutje trajneri anglez foli edhe për autorin e golit, Jude Bellingham, duke vlerësuar lartë yllin e Real Madridit.

“Bellingham është i aftë të bëjë diferencën dhe të krijojë diçka vetë. Mund të them se bëri një ndeshje shumë të mirë dhe ka një nivel tepër të lartë”.

“Ndonëse nuk e zotëruam topin aq sa duhej, më pëlqeu fakti që skuadra diti të reagojë dhe në këtë drejtim”, deklaroi Southgate. /Telegrafi/