Një pacient 77 vjeçar pritet të lirohet sot nga Klinika Infektive pasi që i njëjti është shëruar nga virusi COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur doktor Sali Ahmeti në një konferencë për media.
“Sot e lirojmë edhe pacientin zero apo rastin e parë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, bëhet fjalë për një pacientë 77 vjeçar i cili ka pasur edhe sëmundje kronike të më hershme krahas kësaj ka pasur edhe një infeksion të rëndë me COVID-19, por përkundër kësaj falë një angazhimi të stafit të Klinikës Infektive ai sot do të kthehet te familjarët në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkaq ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Klinikën Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se në këtë klinikë janë duke u trajtuar 49 pacientë.
Ajo ka thënë se 40 prej tyre janë në gjendje stabile, ndërkaq 7 janë në trajtim me okisgjenoterapi dhe 2 në ventilim mekanik
Doktoresha Ajazaj-Berisha shtoi se dje rreth orës 19:40 ka përfunduar me vdekje një pacientë i moshës 56 vjeç nga Prishtina i cili ka pasur edhe sëmundje tjera, duke quar në 4 numrin e pacientëve të vdekur në Klinikën Infektive.
Ajazaj-Berisha theksoi se pesë anëtarë të stafit të Klinikës Infektive janë me coronavirus, dhe se gjendja e tyre është e mirë.
“Dy janë në vetizolim në shtëpi, tre po trajtohen në Klinikë, prej tyre njëra ka rezultuar negative në dy analizat mikrobiologjike dhe pritet të lirohet sot në shtëpi e shëruar”, ka thënë Ajazaj-Berisha. /Telegrafi/