Telegrafi

Sobotka: Sfiduese situata mes Kosovës dhe Serbisë, palët të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit

Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, shprehu mbështetjen për rrugën evropiane të Kosovës.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe se dy palët duhet ta zbatojnë atë.

“Çka është sfiduese është situata e tanishme në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë janë një prej sfidave që duhet të zgjidhen gjatë rrugës së dialogut dhe ne çdo herë do të përpiqemi që për të dyja shtetet të ofrojmë një mundësi që t’i afrohen një hap më tutje njëri-tjetrit. Edhe marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishëm dhe shpresojmë që të dy shtetet të bëjnë një interpretim të njëjtë të kësaj marrëveshjeje dhe këto do të japin mundësinë të planifikojnë edhe për të ardhmen.. Austria edhe në këtë aspekt mund të jetë shembull për Kosovën, nëse mendoni edhe për historinë e shekullit të 20-të”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu Konjufca: Nëse statuti i Asociacionit nuk do jetë në përputhje me Kushtetutën, atëherë t'i themi mirupafshim dialogut

Si zgjidhje, ai përmendi edhe Tirolin Jugor, ku mund të arrihet një zgjidhje kompromisi.

“Tiroli i Jugut ka treguar se si përmes rrugës së dialogut mund të arrijmë një rezultat të mirë. Kjo mund të vlejë edhe për komunat me shumicë serbe në Kosovë”, tha Sobotka.

Kryeparlamentari i Austrisë shtoi se Kosova është zhvilluar shumë viteve të fundit, e Austria është investitorja e katërt më e madhja në Kosovë. /Telegrafi/