Site icon Telegrafi

Snoop kapet në Itali me 422 mijë dollarë të padeklaruara

Policia italiane ka ndaluar reperin amerikan, Snoop Dogg, të premten derisa po përgatitej të hipte në një aeroplan privat për të shkuar në Britani të Madhe me 422.000 dollarë me vete në valixhen – ka thënë një avokat italian që po e përfaqëson reperin.

Në Bashkimin Evropian, shuma maksimale e parave të padeklaruara për t’i bartur me vete në aeroplan është 10.000 euro (10.986 dollarë).

Snoop Dogg, i cili është duke realizuar turneun e tij evropian pas lansimit të albumit “Bush” më herët gjatë këtij viti, do të duhet të paguajë një gjobë, ka thënë Andrea Parisi, avokati i tij, transmetoon Koha.net.

“Kemi sqaruar gjithçka për sa i përket çështjeve ligjore. Paratë vijnë nga koncertet që ai i ka mbajtur nëpër Evropë. Nuk ka krim këtu; është një shkelje administrative”, ka thënë Parisi për Reuters.

Gjysma e parave i janë kthyer reperit, emri i vërtetë i së cilit është Calvin Broadus, ndërsa gjysma tjetër po mbahet nga autoritetet italiane derisa të caktohet shuma e gjobës, ka theksuar Parisi.

Ndryshe, Snoop në fjalë u arrestua para pak ditësh edhe në Suedi për dyshimin se ka përdorur drogë dhe është detyruar që të bëjë testet e urinës pas koncertit të tij të mbajtur në Stockholm.

Exit mobile version