Site icon Telegrafi

Slot: Është gjithmonë vështirë të përballesh me skuadrën që drejton Mourinho

Roma ka arritur të fitojë finalen e parë të Ligës së Konferences ku mposhti Feyenoordin në ‘Air Albania’ në Tiranë.

Giallorosët triumfuan në finalen e madhe pasi iu falën një goli të Nicolo Zaniolos me talentin italian që realizoi pas 32 minutash lojë.

Trajneri i Feyenoordit, Arne Slot tha se skuadra e tij luajti mirë 15 minutat e para të ndeshjes, por pastaj filluan problemet për ta.

“Është gjithmonë interesante kur sheh si shkojnë 15 minutat e parë. Në atë pjesë ne kishim kontrollin e ndeshjes. Por një pjesë loje zgjat 45 minuta. Dhe problemet tona ishin me zgjedhjet që bënë lojtarët tanë, me apo pa topin”, analizoi trajneri Arne Slot pas takimit në konferencë për shtyp.

Tutje trajneri holandez tha se skuadrës së tij i duhej edhe pak fat në këtë finale.

“U thashë lojtarëve gjatë pushimit që ata duhej të bënin më mirë. Në pjesën e dytë ne ishim të vëmendshëm që në fillim, por duhet pak fat dhe ne nuk e kishim. Kishim kohën dhe mundësinë që të shënonim dhe nuk ia dolëm. Ndoshta ka të bëjë edhe me cilësinë e kundërshtarëve”, vazhdoi tutje Slot.

Krejt në fund numri një i shtabit teknik të Feyenoord u shpreh se ndaj një skuadre të drejtuar nga Mourinho është vështirë të krijosh shumë raste.

“Në një finale nuk ke dhjetëra shanse, mund të kesh dy. Në një finale ndaj një skuadre Italiane është veçanërisht e vështirë të krijosh raste e aq më shumë kur është një skuadër italiane e drejtuar nga Mourinho”, tha Slot pas ndeshjes. /Telegrafi/

Exit mobile version