Telegrafi

Sllovenët heqin përkohësisht flamurin nga ambasada në Kiev, për shkak se ngjan shumë me atë të Rusisë

Flamuri slloven dhe ai rus kanë ngjyra të njëjta – pra bardhë, kaltër kuq – ku flamuri slloven ka edhe një logo shtesë brenda.

“Me krenari e kemi ngritur flamurin slloven dhe atë evropian kur jemi rikthyer në Kiev”, tha për televizionin slloven Boshtjan Lesjak, i ngarkuar me punë në Kiev, transmeton Telegrafi.

“Megjithatë, në mëngjes më kanë vizituar përfaqësuesit e gardës nacionale të Ukrainës të shoqëruar nga përfaqësues të policisë, të cilët me mirësjellje më pyetën nëse përkohësisht mund të heqim flamurin slloven, pasi ka ngjashmëri të madhe me atë rus”, shtoi Lesjak.

Kujtojmë që Sllovenia të hënën ka rihapur ambasadën në Kiev, një muaj pasi që kishte evakuuar diplomatët e saj nga Ukraina si rezultat i pushtimit rus.

Në anën tjetër, ambasadori slloven në Ukrainë, Tomazh Mencin, po vazhdon punën nga qyteti polak Rzeszowa që gjendet afër kufirit me Ukrainë, ka njoftuar këtë javë ministria e Jashtme sllovene. /Telegrafi/