Paris Saint-Germaini thuhet të ketë arritur marrëveshje për transferimin e përhershëm të Mauro Icardit nga Interi.
Ekspertët e transferimeve, Gianluca Di Marzio dhe Fabrizio Romano, kanë raportuar përmes Sky Sport Italia se kampioni francez do ta paguajë çmimin prej 50 milionë eurosh dhe shtatë milionë euro të tjera në formë bonusesh.
PSG e kishte opsionin e blerjes së argjentinasit për 70 milionë euro, mirëpo Interi është pajtuar që ta zvogëlojë çmimin për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Marrëveshja pritet të ratifikohet gjatë të shtunës duke shënuar kështu marrëveshjen e parë të Nerazzurrëve para sezonit të ardhshëm.
26-vjeçari u transferua në Parc des Princes në formë të huazimit njëvjeçar në verën e kaluar. Ai i ka shënuar 20 gola në 31 paraqitje me PSG-në që e fitoi titullin e Francës pas ndërprerjes së kampionatit. /Telegrafi/