Me gjerësi prej 60 metrash, 21 metra lartësi dhe një hapje krahu prej 45 metrash, kjo është skulptura më e madhe në botë, që ka formën e një shpeze.
Struktura kolosale nga betoni, që ndodhet në Kerala të Indisë është emëruar Jetayu Earth Center, për finalizimin e së cilës janë kaluar deri në gjashtë vjet, transmeton Telegrafi.
Ideja fillestare ishte e regjisorit dhe skulptorit indian, Rajiv Anchal i cili gjithmonë kishte ëndërruar që ta sillte në jetë, krijesën mitike Jetayu.
Sipas legjendës Hindu, Jetayu u gjend pranë princeshës Sita, derisa po kidnapohej nga mbreti i demonëve Ravana. Kur Jetayu tentoi ta shpëtonte princeshën, Rava ia këputi krahun me shpatë.
Që të përshtatet me historinë legjendare edhe kjo skulpturë, e ka vetëm një krah. Fakti që është në shpinë, me kthetrat lart dhe sqepin e hapur, tregon për dhimbjen që ndjenë.
Anchal ka thënë për media, se modelin e kësaj skulpture e kishte paraqitur në Departamentin e Turizmit, kur ishte në shkollë të mesme në vitin 1980. Megjithëse kishte marrë lëvdata, nuk është bërë asgjë për ta jetësuar skulpturën gjigante.
Gjithçka është vendosur shumë më vonë dhe u përzgjodh pikërisht ky punim, për qendrën e ndërtuar për nder të sigurisë së gruas.
“Jetayu tregon për një kohë të vjetër, kur edhe krijesat e egra mbronin kafshët dhe kujdeseshin për një jetë të përbashkët në Tokë” ka thënë mes tjerash Anchal.
Turistët kanë mundësi të qëndrojnë në kokën e shpezës, për të parë ambientin nga këndvështrimi i zogut.
Ambientet e brendshme janë të ndara në salla të ndryshme, ndërsa përjashta ka parqe për shëtitje dhe pushim. /Telegrafi/