Telegrafi

Skuadra e Jetmir Topallit po e bojkoton klubin, nuk u stërvitën dhe kërcënojnë të mos zhvillojnë ndeshjen ndaj Galatasarayt

Yeni Malatyaspor ka arritur dy fitore radhazi në kampionat, ku mposhti 4-1 Rizesporin dhe triumfoi 1-2 te Hatayspor.

Megjithatë gëzimi i këtyre gjashtë pikëve nuk ka qenë i gjatë për klubin, pasi futbollistët janë revoltuar.

Mediat turke kanë raportuar se futbollistët e Malatyaspor, ku luan edhe ylli kosovar Jetmir Topalli kanë bojkotuar stërvitjen e ditës së sotme.

Deri tek bojkotimi i stërvitjes ka ardhur pasi klubi nuk i ka kryer pagesat për dy muajt e fundit.

Kjo ka bërë që futbollistët të bojkotojnë stërvitjen, por kjo nuk pritet të mbarojë me kaq.

Malatyaspor është nikoqir i Galatasarayt në kuadër të xhiros së 20-të në elitën e futbollit turk të dielën.

Nëse klubi nuk i kryen detyrimet financiare të futbollistëve, atëherë besohet se ata do ta bojkotojnë edhe ndeshjen me gjigantin turk.

Nëse një gjë e tillë do të ndodh, atëherë Galatasaray do të fitonte me rezultat zyrtar ndeshjen.

Kujtojmë që pjesë e Malatyaspor është edhe futbollisti kaçanikas Jetmir Topalli.

22-vjeçari iu bashkua klubit në verën e vitit 2020 nga Ballkani, ku ka luajtur deri më tani në 14 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës.

Reprezentuesi kosovar ka shënuar një gol në kampionat, derisa ka realizuar tre të tjerë në Kupën e Turqisë. /Telegrafi/