Milan Skriniar ka treguar se është i befasuar që Antonio Conte u largua nga Interi, por këmbëngul se ai dëshiron të qëndrojë në Giuseppe Meazza.
Conte u largua nga Nerazzurrët pasi solli titullin e Serie A në Meazza për herë të parë në 11 vite.
Ky largim i Contes ka befasuar të gjithë dhe njëri nga ta padyshim se është mbrojtësi sllovak Skriniar.
“Largimi i Contes ishte befasues për të gjithë ne, është e pamundur ta mohosh atë”, ka thënë fillimisht Skriniar në një konferencë shtypi me ekipin kombëtar të Sllovakisë.
“E kuptova nga media dhe nuk kam më shumë informacion, jam kurioz të di se çfarë do të ndodhë tani”.
Sidoqoftë, 26-vjeçari nuk dëshiron të ndjekë hapat e ish-trajnerit të tij.
“Unë e kam thënë këtë në të kaluarën, unë dua të qëndroj në Inter dhe të mbroj titullin. Nuk jam duke ndjekur thashethemet e transferimeve”.
“Ishte një ndjenjë e shkëlqyer për të fituar Scudetton, një ndjenjë joreale. E mendova kur festuam para tifozëve tanë”.
“Është një sukses i madh edhe për Sllovakinë, unë jam krenar që jam sllovak, ishte një udhëtim i gjatë dhe emocionues”, përfundoi mbrojtësi. /Telegrafi/