Në vitin 1906, në Poloni botohet libri me titull: “Nga shqiponjat lindin shqiponja”. Tregimi i parë i kushtohet ngjarjeve dhe rrethanave kur Princi, Gjergji i vogël merret peng nga Sulltani i Turqisë,Murati II, ndërsa në librin e dytë, një pjesë e tij i kushtohet bisedimeve sekrete që Skënderbeu zhvilloi me mbretin e Polonisë Vladislavi III (Władysław III) dhe me regjentin e Hungarisë Janosh Huniadin (John Hunyadi). Të dy këto tregime, në literaturën evropiane janë botuar për herë të parë në Poloni. Takimi sekret i Skënderbeut u zhvillua korrik të vitit 1443 në Buda të Hungarisë, para betejës së Nishit të nëntorit të vitit 1443 midis forcave të Unionit polako-hungarez dhe forcave otomane. Në atë kohë Polonia me Hungarinë ishin në një Union të përbashkët, në krye të të cilit ishte mbreti polak. Kryeqytetet ishin me rotacion, njëherë Krakovi i Polonisë, ndërsa herën tjetër Buda e Hungarisë. Në këtë takim, nga ana e Unionit morën pjesë mbreti i Polonisë Vlladislavi III, regjenti i Hungarisë Janosh Huniadi dhe Grigori i Sanokut, noter i kancelarisë së mbretit polak. Më poshtë paraqitet përkthimi i kësaj pjese që i kushtohet Skënderbeut.
Nga: Mieçisllava Shleçkovska (Mieczyslawa Ślęczkowska)
Përktheu dhe përgatiti: Leonard Zissi
Dy popuj të krishterë, të bashkuar nëpërmjet vendosjes në kokën e Vlladisllavit III [Mbreti polak (1424-1444)] të Unionit të dy kurorave mbretërore, [Unioni Polako-Hungarez (1440-1444)] përbënin një fuqi të vërtetë, të cilën duhet ta kishte parasysh edhe një pushtetar i fuqishëm, siç ishte edhe sulltani turk, Murati II. Për më tepër që në krah të “mbretit djalosh”, siç e quante me urrejtje mbretin polak i plotfuqishmi zot i Turqisë, qëndronte luftëtari i fuqishëm, Janosh Huniadi [Guvernator dhe regjent i mbretërisë Hungareze, vojevoda i Transilvanisë (1407-1456)]. Turqit atë e quanin “qen i tërbuar”, sepse disa herë u kish dhënë dërmën ushtrive të paganit.
Duke parë ndryshimet e ndodhura në botën e krishterë, pas kurorëzimit të Vlladisallavit III, sulltan Murati II vendosi që, përpara fillimit të luftës me të pabesët, siç i quanin turqit ata që nuk i përkisnin fesë myslimane, të dërgonte në Budë një dërgatë, në dukje për nënshkrimin e një traktati paqeje, por në të vërtetë për të spiunuar e për të ditur me saktësi forcën e kundërshtarit të tij. Murati II vendosi të dërgojë në Hungari një dërgatë shumë dinjitoze, me qëllim që, në vështrimin e parë, të tregonte fuqinë e pushtetarit të Turqisë.
Le të shohim sesi ishte kjo dërgatë dinjitoze.
Nga Turqia ajo mbërriti në Budë, duke mrekulluar turmat e hungarezëve dhe duke i lënë ata pa gojë ndaj vargut të shkëlqyer turk.
Në fillim vraponin kallauzët që me zë të lartë lajmëronin ardhjen e një dërgate të lartë që mbante vulën e sulltanit. Pas tyre kalonin burizanët, kështu që rënia e burive dhe zhurma e kallauzëve nga larg, tregonin fuqinë e pushtetit të Turqisë.
Pas burizanëve kaluan gjashtë karroca, në të cilat ndodheshin të deleguarit e sulltanit, Mbajtësi i madh i vulës së sulltanit, pashallarë dhe funksionarë të lartë që vinin pas karrocave që i tërhiqnin dymbëdhjetë kuaj të veshur me shalë dhe mbuluar me kuverta. Më pas vinin dy deve që mbanin në kurriz kasolle kolibe të vogla të mrekullueshme prej bezeje, që dukeshin si kulla të vogla, ku ishin ulur funksionarë të lartë të Muratit II. Pas deveve kishte disa dhjetëra këmbësorë të armatosur. Vargu i gjatë përfundonte me dhjetë deve të tjera dhe disa dhjetëra mushka të ngarkuara me arka.
Në kufirin me Hungarinë, vargu i madh turk u shtua edhe me një eskortë kalorësish hungarezë, e cila do ta shoqëronte dërgatën e sulltanit. Nën përkujdesjen e eskortës hungareze, të deleguarit e sulltanit mbërritën në kryeqytetin e Hungarisë Buda, pa ndonjë problem. Në një godinë të veçantë, të ruajtur nga hungarezët, anëtarët e dërgatës turke u pritën si mysafirë. Mbasi u çlodhën nga rruga, të nesërmen turqit shkuan në kështjellë për të zhvilluar bisedime zyrtare.
Porta e godinës së caktuar ku ishin strehuar turqit u hap. Rojet hungareze u shpërndanë, ndërsa nga porta vrapuan, në fillim pararoja që i shërbente vargut të dërgatës. Ata ishin veshur me këmisha të bardha me mëngë të gjata, me pantallona të bardha, të gjata deri në gjunjë dhe me brez të kuq. Prej pantallonave vareshin disa xhufka. Ata vraponin zbathur, me koka të zbuluara. Në dorën e majtë mbanin shkopinj prej bambuje, ndërsa në dorën e djathtë një shami të madhe. Duke tundur shkopinjtë dhe valëvitur shamitë, ata vraponin dhe bërtisnin.
Pas kallauzëve që paraprinin vargun, u dukën borizanët, veshur me këmisha të bardha, me rroba të çelura dhe me xhingla. Në duar mbanin buri shumë të gjata, të zbukuruara me shirita të kuqe, të quajtura xhufka të arta, të gjata dhe të bollshme.
Pas burizanëve u nis vargu i kuajve dhe pas tyre, hipur në kuaj, u dukën funksionarët turq. Në krye të tyre ishte Mbajtësi i madh i vulës së sulltanit,
veshur me një mantel prej peliçeje të shtrenjtë, mbuluar me një material të shtrenjtë dhe me një brez të artë. Nën peliçe dukej një zinxhir i florinjtë që zbukuronte qafën e Mbajtësit të madh të vulës së sulltanit, i zbukuruar me gurë të çmuar. Kokën e të deleguarit të madh e mbulonte një kapë e gjatë, e bërë edhe ajo prej peliçeje, e mbuluar me brilante. Në qëndër të saj ishte emblema e gjysëm hënës dhe sipër saj valëvitej një pendë palloi që vihej në kapë.
Edhe kali i Mbajtësit të madh të vulës së sulltanit ishte zbukuruar bukur. Po ashtu bukur ishin zbukuruar edhe funksionarët e tjerë turq.
Pas pashallarëve vinin dy kuaj me veshje të kushtueshme si dhe dy mushka të ngarkuara me dhuratat e sulltanit.
Vargun e mbyllte reparti i kalorësve.
Nëpërmjet thirrjeve të kallauzëve, tingujve të fuqishëm të burive, turqit shkonin ngadalë drejt kështjellës. Ngadalë, sepse turmat e mahnitura të njerëzve vështronin parakalimin e tyre.
Vapa ishte e tmerrshme, kështu që pashallarët e nderuar që ishin viktima të palumtura të etikës që kërkonte ceremonia, pavarësisht nga vapa, ishin të detyruar të visheshin me peliçe. Prandaj ata detyroheshin të gulçonin, por vazhdonin të duronin për t’i dhënë rëndësi misionit të tyre.
Vargu ju afrua kështjellës, ndërtuar në majën e një kodre, mbi lumin e mrekullueshëm të Danubit.
Kur vargu ndaloi para portave të kështjellës, rojet e kështjellës që ishin në gatishmëri, u shpërndanë. Në kokat e tyre shkëlqenin kaskat e lara me flori, të mbuluara me krepa luspash.
U hapën dyert e sallës mbretërore. Salla kishte një paraqitje të bukur dhe ceremoniale. E tillë ishte edhe kishëza që ndodhej brenda kështjellës. Ajo kishte dritare të ngushta dhe të larta, tavan me qemer, ndërsa faqet e mureve ishin zbukuruar me mburoja me stema të ndryshme, me skulptura, me piktura dhe me flamuj. Në thellësi të sallës mbretërore, në një vend të ngritur ishte vendosur froni i mrekullueshëm mbretëror. Mbi të qëndronte një kurorë e madhe mbretërore, ndërsa në pjesën e poshtme të fronit, ishte shtruar një qilim i shtrenjtë. Nga të dy anët e fronit, ndodheshin dy stola veshur me beze ngjyrë të kuqe, ndërsa pas tyre ndodheshin bankat e caktuara për funksionarët.
Bankat dhe stolat përbënin të vetmin mobilim të sallës.
Në fron ishte ulur mbreti i ri me kurorën mbretërore në kokë, me një pelerinë të purpurt dhe me një peliçe kunadheje për brenda. Në një dorë mbante skeptrin mbretëror, ndërsa në të dytën një mollë prej floriri me një kryq në sipërfaqe.
Nga ana e djathtë e mbretit Vlladisllav qëndronte kardinali Jul Cezarini, ati shpirtëror, ndërsa nga ana e majtë Janosh Huniadi, që ishte ati i ekspeditës kalorsiake, hetman dhe pric i Siedmiogrodit.
Më tej, në formë gjysëm rrethi, zunë vend funksionarët e lartë laikë dhe shpirtërorë.
Në fytyrat kalorsiake shprehej serioziteti, ndërsa veshjet e shtrenjta krahasoheshin me ato që mbanin turqit, vetëm dalloheshin nga prerjet e tyre.
Në vargun e mbretit Vlladisllav ndodhej gjithashtu edhe despoti serb Gjergj Brankoviç, i cili, i ndjekur prej turqve, ishte strehuar tek mbreti hungarez.
I dërguari i Madh i sulltanit hyri i pari dhe, duke u përulur, ju afrua fronit mbretëror. Pas tij hynë edhe anëtarët e tjerë të dërgatës turke.
Pasi mbreti Vlladisllav bëri shenjë me dorë, Mbajtësi i madh i vulës së sulltanit, filloi të flasë turqisht, e cila përkthehej në italisht nga një përkthyes i gjuhës italiane.
Me një oratori të rrjedhshme ai lavdëroi madhështinë, fuqinë dhe mënçurinë e padishahut. “Megjithë forcën që ka, ai është dashamirës i paqes, prandaj ky sundimtar mbi sundimtarët ka dërguar me degën e ullirit shërbëtorin e tij besnik si të dërguar pranë fqinjit të vet”.
Në përgjigje të mbajtësit të madh të vulës së sulltanit, në emër të mbretit, foli kancelari hungarez dhe pas kësaj të gjithë anëtarët e dërgesës turke u ulën, ndërsa Mbajtësi i madh i vulës së sulltanit, mori përsëri fjalën dhe tha:
“Padishahu, zoti im, sundimtari mbi sundimtarët dhe më i zgjuari mbi të zgjuarit, me zgjuarsinë e tij vendosi t’i shprehë madhërisë tuaj, mbretit të Hungarisë, fqinjit të tij, mirësinë e tij, prandaj i dërgon atij si dhuratë dy kafshë brejtëse që nga bukuria ua kalojnë të gjitha kafshëve të tjera dhe, përsa i përket forcës dhe shpejtësisë nuk kanë të barabartë midis tyre. Vlera e tyre do të mrekullojë brezat e njerëzve. Bashkë me dy brejtësat, padishahu i dhuron mbretit edhe dy mushka të ngarkuara me stofra të shtrenjta dhe me pëlhura të mëndafshta.
Dëshira e padishahut është që lartmadhëria juaj, nga këto materiale të qepë veshje të tjera sipas dëshirës së tij, me qëllim që të ripërtijë garderobën dhe të kujtojë përzemërsinë e padishahut për të. Të dyja këto dhurata le të jenë një paradhënie dhe garanci për një miqësi të qëndrueshme ndër shekuj”.
Pas këtij fjalimi, me të njëjtat fjalë, në emër të mbretit u përgjegj kancelari, i cili pyeti për shëndetin dhe uroi suksese për madhërinë e tij, sulltanin, për të cilin, i dërguari i Madh tha:
“Padishahu ynë, të cilit Zoti t’i zgjasë sa më shumë jetën dhe t’i dhurojë sa më shumë begati, është shëndosh e mirë. Shëndeti lulëzon në fytyrën e tij të mrekullueshme si një trëndafil me shumë fletë dhe, me zerin e tij të fuqishëm, tingëllon më fort sesa ulërima e luanit në shkretëtirë. Më të shëndetshëm sesa ai dhe më të fuqishëm, nuk mund të gjendet një tjetër mbi të. Meqënëse madhëria juaj mund të pyesë edhe për sukseset e tij, atëherë dëgjoni:
Vendet që i nënshtrohen padishahut tonë janë aq të gjëra, saqë një shqiponjë që fluturon nga lindja në perëndim dhe veriu në jug, lodhet së fluturuari dhe nuk mund të arrijë nga një kufi te tjetri. Në këta kufij ka male, lugina, fusha, në të cilat banojnë popuj të ndryshëm, që është e pamundur t’i numërosh. Të gjithë këta popuj i luten vazhdimisht Allahut për shëndetin dhe begatinë e padishahut tonë, të cilët i japin atij të dhjetën dhe paguajnë haraçe me dëshirën më të madhe. Prej këtyre grumbullohen dhurata të shumta që të verbojnë sytë. Floririn ai e ruan në vende të rrethuara me tela me gjëmba, argjendin dhe bakrin në depo të ndryshme, ndërsa brilantet dhe gurët e çmuar nëpër arkat e mëdha.
Në stalla ndodhen qindra kafshë brejtëse nga më të bukurat që brejnë vazhdimisht ushqimin e pastër. Sulltanit i shërbejnë vezirët e mëdhenj, pashallarë, bejlerë, kalorës, luftëtarë, mendimtarë, të cilët mendojnë vetëm për të, për të zbuluar dëshirat e tij. Prandaj padishahu ynë e ndjen veten shumë mirë, duke arritur suksese të vazhdueshme në kohë lufte dhe në paqe. Mjerë ai që do të guxonte të ngrinte dorën kundër të zgjedhurit të Allahut. Koka e tij do të shndërrohej menjëherë në pluhur” [Ky fjalim i të dërguarit të Padishanut është marrë nga një tregim i Gjergjit me titull: “Kalorësi i Krishterë” – shënim i autores].
Pas kësaj erdhi përgjigja nga froni mbretëror, pastaj mbreti, duke tundur kokën në shenjë lamtumire për Mbajtësin e madh të vulës së sulltanit, u largua nga salla e fronit mbretëror dhe pas largimit të tij, dolën edhe të deleguarit turq me oborrtarët e shumtë..
Gjatë kalërimit nëpër kuaj ndodhi një skenë e papritur, sepse u arrestuan tre njerëz nga vargu i dërgatës turke. Pyetjes së Mbajtësit të madh të vulës së sulltanit se çfarë ndodhi, ju përgjigjën se njerëzit e ndaluar akuzohen për spiunazh, prandaj dhe u arrestuan.
Kjo gjë e shqetësoi Mbajtësin e madh të vulës së sulltanit, sepse midis të arrestuarve ishte edhe Skënderbeu, i preferuari i Sulltanit, një luftëtar i jashtëzakonshëm. Ai ishte si syri në kokën e padishahut dhe hungarezët arrestuan kështu një funksionar të tillë të lartë!
Humori i Mbajtësit të madh të vulës së Sulltanit u prish.
Skënderbeun e çuan në godinën e kalasë, që ndodhej pas kështjellës.
Turqit e arrestuar nga hungarezët, patën një ndjenjë të hidhur që nuk do t’ia dëshiroje askujt. Arësyeja e këtyre ndjenjave jo të këndshme, ishte sepse ishin paralajmëruar se, në rast se në tokën hungareze dikush akuzohej për spiunazh, atë e priste dënimi me vdekje, me varrje në trekëmbësh. Për këtë dënim që i priste, të arrestuarit u drodhën, por u drodh edhe Mbajtësi i madh i vulës së sulltanit për jetën e Skënderbeut, të preferuarit të Sulltanit. Padishahu, që e kish lavdëruar shpesh herë Mbajtësin e madh të vulës së tij, ishte sundimtar i plotfuqishëm, i tmerrshëm dhe nga vullneti dhe humori i tij varej jeta e vartësve.
Funksionarët më të lartë dridheshin dhe kishin frikë të mos e zemëronin padishahun, i cili shpesh i dënonte vartësit me vdekje me plot tortura. Për kokën e tij u drodh edhe Mbajtësi i madhi vulës së sulltanit, kur mësoi se midis të arrestuarve ishte edhe Skënderbeu, syri në kokën e padishahut.
Sesa e tronditi Mbajtësin e madh të vulës së Sulltanit arrestimi i Skënderbeut, këtë e dëshmon edhe fakti se, pasi u kthye në banesë, ai pësoi një atak të lehtë epileptik.