Ministrja shqiptare e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka sqaruar pozicionin e qeverisë sot në një njoftim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit të ministrave.
E pyetur nëse qeveria mban përgjegjësi për një kryetar bashkie qe përfaqëson Partinë Socialiste dhe që kryen veprime të pahijshme në zyrën e shtetit, Ibrahimaj u përgjigj se tashmë është vendosur shkarkimi i tij.
“Sot Këshilli i Ministrave mori një vendim për shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të bashkisë së Kukësit”, u shpreh Ibrahimaj.
Ndërkohë kujtojmë se Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur procedim penal për kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici.
Kjo ka ardhur pas shfaqjes së një video në rrjetet sociale, ku Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit.
Gjici vet ka pranuar që me vajzën që është shfaqur në video ka pasur një marrëdhënie intime prej disa kohësh, por nënvizon se gjesti është i pajustifikueshëm dhe ndaj ka vendosur të japë dorëheqjen. /Telegrafi/