Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka bërë me dije se ka kallëzuar penalisht në SPAK çdo person, përfshi kryeministrin Edi Rama, që sipas saj “ka shpërdoruar detyrën, ka vjedhur, apo nuk ka reaguar ndaj situates në Spitalin Onkologjik”.
“Pas publikimit të skandalit, Edi Rama nxitoi t’ia hidhte fajin mjekëve e nuk mori asnjë masë. Ministrja e Shëndetësisë u neverit prej mjekëve e nuk mori asnjë masë. Shefja e shërbimit dhe Drejtoresha e QSUT as analizuan situatën, as reaguan, madje pranuan si pa të keq të gjitha mungesat në medikamente, kura, mungesën e funksionimit të pajisjeve dhe aparaturave në Onkologjik. Ajo çka ndodhi të onkologjiku është veç një tjetër skandal, në radhën e gjatë të skandaleve të kësaj qeverie, me ndryshimin e vetëm, që çdo ditë që zgjat ky skandal, çdo ditë që nuk reagohet, më shumë pacientëve ju përkeqësohet shëndeti, më shumë humbin jetën”, tha Vokshi.
“PD jo vetëm e ka denoncuar, deputetët e PD kanë kërkuar interpelanca, dëgjesa në komision, por personalisht kam kallëzuar penalisht në SPAK çdo person që ka shpërdoruar detyrën, ka vjedhur, apo nuk ka reaguar ndaj situates. Kallëzimin e kam bërë:
– Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
– Ilir Beqaj, ish-Ministër i Shëndetësisë
– Ogerta Manastirlliu, ish-Ministre e Shëndetësisë
– Albana Koçiu, Ministre aktuale e Shëndetësisë
– Enkel Joti, ish-drejtor i QSUNT
– Albana Fico,ish-Drejtuese e QSUNT
– Zv.Drejtorë të QSUT, Shefa shërbimesh, çdo person tjetër që nga hetimi do të rezultojë me përgjegjësi penale”, shtoi Vokshi.
Deputetja demokrate tregoi se çfarë kërkon nga SPAK-u: “Në Kallëzim jo vetëm kemi mungesën e barnave, jo vetëm mosfunksionimin e aparaturave, por së bashku me ekspertët e shëndetësisë pranë PD kemi bërë një analizë të thelluar të situatës në shëndetësi fokusuar të problematikat që lidhen me situatën te onkologjiku. Nga ana e SPAK kërkojmë: regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj shtetasve të sipërpërmendur për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja me dashje’, ‘Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër’, ‘Neglizhenca në trajtim mjekësor’, ‘Materialet bërthamore dhe substancat radioaktive të rrezikshme’, ‘Shpërdorimi i detyrës’. /Telegrafi/