Site icon Telegrafi

Skandali i korrupsionit në Parlamentin Evropian – arrestohet eurodeputeti belg, Marc Tarabella

Hetimet për skandalin e korrupsionit që përfshiu Parlamentin Evropian ka rezultuar në një arrestim të ri: Marc Tarabella, eurodeputeti belg i lidhur më parë me grupin socialist.

Një kasafortë bankare në Liege që i përket ligjvënësit dhe disa zyre brenda bashkisë së Anthisnes, gjithashtu u kontrolluan prej autoriteteve policore.

Tarabella tani pritet të dal para një trupe gjykuese, e cila mund të vendosë ta lirojë ose t’i ngrit aktakuzë, konfirmoi Zyra e Prokurorisë Federale belge për Euronews, pa specifikuar akuzat e mundshme me të cilat mund të përballet. Që kur emri iu përfshi në skandal, Tarabella ka pohuar vazhdimisht se është i pafajshëm.

Ligjvënësit evropianë gëzojnë imunitet nga paraburgimi dhe procedurat ligjore, por Tarabella e humbi këtë privilegj javën e kaluar pasi kolegët e tij votuan për t’i hequr këtë mbrojtje të veçantë. Edhe vetë Tarabella votoi për heqjen e imunitetit të tij.

Edhe eurodeputeti italian, Andrea Cozzolino u privua nga mbrojtja gjatë të njëjtit votim.

Që nga shpërthimi i skandalit në mes të dhjetorit, katër persona janë akuzuar zyrtarisht: eurodeputetja greke Eva Kaili, partneri i saj, Francesco Giorgi, ish-deputeti Pier Antonio Panzeri dhe drejtori i OJQ-së Niccolo Figa-Talamanca.

Lexo po ashtu Kush është Eva Kaili, eurodeputetja në qendër të skandalit për korrupsion që tronditi Brukselin?

Të katërtit akuzohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash.

Kaili, Giorgi dhe Panzeri mbeten në burg, ndërsa Figa-Talamanca u lirua në fillim të këtij muaji pa kushte.

Hetimi po shqyrton lobimin e paligjshëm që dyshohet se është kryer nga Katari dhe Maroku në një përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e BE-së. Si Katari ashtu edhe Maroku i mohojnë me forcë pretendimet.

Lobimi i supozuar përfshinte “shuma të mëdha” parash dhe dhurata “të konsiderueshme”, thanë prokurorët. Mbi 1.5 milion euro janë sekuestruar gjatë dhjetëra bastisjeve të policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version