Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) mund të përfundojë brenda javëve.
Kështu është shprehur në një prononcim për Telegrafin, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj – njëherësh kryetar Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Haradinaj ka theksuar se të gjitha përgatitjet dhe plotësimet ligjore janë harmonizuar në detaje – me mekanizmat relevantë të FSK-së.
“Besoj se edhe ministri, kolegët e tij, dhe gjeneralët tanë të ndihmuar nga ekspertë të mirënjohur të NATO-s, kanë dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e legjislacionit të nevojshëm që të jemi me kapacitete të plota ushtarake”, ka thënë Haradinaj për Telegrafin, duke theksuar se po pati vullnet Ushtria mund të formohet brenda javëve.
Në anën tjetër, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka theksuar se ekzistojnë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së në FAK, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo edhe përmes ndryshim-plotësimit të Ligjit për FSK-në.
Ndonëse në asnjë rast nuk ka munguar vullneti institucional dhe politik i Kosovës për ta bërë Ushtrinë, pengesë në këtë proces vazhdon të jetë Lista Serbe. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe vetë ministri Demolli, i cili ka thënë se për këtë ende mungon vullneti i përfaqësuesve të komunitetit serb.
Presidenti Hashim Thaçi ditë më parë deklaroi se Kuvendi i Kosovës duhet menjëherë të merr vendimin për krijimin e Forcave të Armatosura, duke thënë se “nuk ka kohë të humbet asnjë ditë”. Ndërkaq, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, sot është shprehur se Kosova nuk do të ketë Ushtri pa miratimin e Listës Serbe gjë e cila, sipas tij, nuk do të ndodhë. /Telegrafi/