Situatë e tensionuar është parë sot në Shkabaj pasi banorët kanë rezistuar që të rrëzohet objekti i nisur për xhami.
Policia e Kosovës ka asistuar Inspektoratin e komunës së Prishtinës për rrëzimin e këtij objekti, por banorët e këtij fshati nuk kanë lejuar.
Ekipi i Telegrafit ishte në vendngjarje, ndërsa është përdorur edhe sprej për qetësimin e situatës.
Në vendngjarje ishte edhe ambulanca.
Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës tha se Policia vetëm ka asistuar inspektorët komunal.
“Për shkak të pengimit të zyrtarëve të komunës një person është shoqëruar në stacion policor”, tha Ahmeti.
Të pranishëm janë parë edhe zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që të mos rrëzohet objekti deri në një hap të radhës, raporton Telegrafi.
Pas situatës së krijuar, u tha po ashtu që të mos vazhdohet as me punimet deri në një vendim tjetër radhës. Qytetarët e grumbulluar tashmë janë shpërndarë.
Sipas raportimeve të para, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë leje për ndërtim, ndërsa një aksion i tillë për rrëzimin e objektit ishte ndërmarrë edhe javën e kaluar, por që ishte ndërprerë për shkak të rezistencës së banorëve. /Telegrafi/