Site icon Telegrafi

Pas sulmit terrorist ndaj policisë, situata ishte e qetë gjatë natës në veri

Nata e së dielës në pjesën veriore të vendit ka kaluar e qetë dhe pa incidente.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Situata ka qenë e qetë dhe në rregull pa ndonjë incident”, ka thënë shkurt Elshani.

Kujtojmë se një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos, si pasojë e përleshjes me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit.

Rasti ndodhi të dielën në orët e para të mëngjesit, pasi që policia kishte pranuar informatën për vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

Lexo po ashtu Sulmohet me arsenal armësh policia në veri, mbetet i vrarë një rreshter

Me të pranuar informatën njësitet policore u nisën drejt vendit të ngjarjes, aty edhe ku u qëlluan me armë zjarri dhe reshteri i policisë, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë kurse polici Alban Rashiti u plagos.

Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, dyshohen për “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”. /Telegrafi/

Exit mobile version