Telegrafi

Situata në PD e paqartë, japin dorëheqjen nga kryesia deputetët Oriela Nebiaj dhe Flamur Hoxha

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Oriela Nebiaj dhe Flamur Hoxha kanë dhënë dorëheqjen nga kryesia e partisë pas mbledhjes që u zhvillua mbrëmjen e djeshme, e cila zgjati rreth 10 orë.

Burime për Euronews Albania, bëjnë me dije se Hoxha ka dhënë dorëheqjen dhe nga posti i sekretarit organizativ.

Kryesia e Partisë Demokratike zhvilloi dje një mbledhje për të diskutuar rreth mënyrës se si do të drejtohej partia dhe për datën e caktimit të zgjedhjes së kryetarit të ri të saj. Mbledhja u shoqërua me debate dhe tensione të shumta.

Lexo po ashtu Bardhi reagon për incidentin pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së: Përmes shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë

Disa deputetë u larguan duke e konsideruar vendim të njëanshëm përcaktimin e një date për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.

Kryesia vendosi hapjen e procesit zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetarin e PD me datë 29 korrik 2023. Vendimi u miratua me 17 vota pro, Jonila Godole dhe Flamur Hoxha votuan kundër ndërsa, Jorida Tabaku, Juela Hamati dhe Oriela Nebiaj abstenuan. /Telegrafi/