Site icon Telegrafi

Sindikatat kundërshtojnë rritjen e pagave vetëm për zyrtarët e Qeverisë (Video)

Në emisionin “Përballje” prodhim i Telegrafi.com sonte po diskutohet për gjendjen e punëtorëve si dhe për rolin e sindikatave në Kosovë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, ka theksuar se rritja e pagave nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj është në kundërshtim me kohën dhe gjendjen ekonomike në vend.

Ai ka thanë se pagat duhet të rriten jo vetëm për qeveritarët, por edhe për punëtorët.

“Ne nuk pajtohemi më këtë formë të rritjes së pagave, sepse nuk është as koha dhe as momenti për ngritjen e pagave. Pagat të fillojnë të ngriten nga punëmarrësi, nga poshtë lartë, por jo nga lartë.  Ne kemi një raport të pagave 1 me 10, i cili kurrë nuk ka qenë. Unë, ka 40 vite që punoj, por asnjëherë kësi raporti nuk ka qenë. Maksimumi i këtij raporti ka qenë 1 me 6. Nuk ka qenë i anashkaluar punëtori asnjëherë. Kemi të bëjmë me një ndarje të klasave, ajo borgjeze me klasën punëtore”, ka shtuar Ajdini.

Ajdini ka deklaruar se është fat i madh me pas mjete që të rriten pagat, por jo duke u anashkaluar punëtorët.

Edhe Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se mësimdhënësit e Kosovës nuk janë ndier mirë kur kanë kuptuar që pagat janë rritur vetëm për qeveritarët.

“Pagat as atëherë nuk i kishin të vogla edhe po i bie që kështu janë prekur mësimdhënësit e Kosovës dhe nëse nuk do të ketë përmirësim të pagave të mësimdhënësve mund të ketë masa tjera në të ardhmen”, ka thënë Jasharaj në emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini.

Në anën tjetër duke folur për gjendjen e punëtorëve dhe ekonominë në Kosovë, kryetari i BSPK-së, Ajdini ka thënë se qe 17 vite  ekonomia jonë është rrënuar.

“Nuk ka pasur progres, por regres. Sa fabrika janë ndërtuar dhe sa janë shkatërruar. Por, është fakt se tashmë është mbushur pusi. E zhvaten ekonominë e vendit. Ne sindikalistët nuk do të rrimë të qetë, kur shkelën të drejtat e punëtorit, nuk do të rrimë duarkryq. E kam potencuar protestën e 1 majit, pres që të mobilizohen të gjithë punëtorët dhe të dalin masovikisht në protesta. Por, edhe nëse ka protesta tjera ne do t’i mbështesim. Nëse kryesia e SBAShK-ut vendos të protestoj ne do të jemi aty”, ka shtuar Ajdini.

Emisioni “Përballje” është prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë nga ora 20:10 në RTV Dukagjini e Telegrafi.com. /Telegrafi/

Exit mobile version