Sindikata e Punëtorëve të Bankës Qendrore të Kosovës (SPBQK), ka reaguar pasi një email që një sinjalizues i ka dërguar Agjencisë Kundër Korrupsionit, është publikuar në media më datë 5 maj 2022.
Ky email përmban 11 faqe dëshmi të cilat dërguesi pretendon se po bëhen keqpërdorime në institucionin e BQK-së.
Në reagimin e saj, sindikata ka thënë se është e shqetësuar lidhur më këtë letër, ndërsa ka kërkuar nga organet kompetente që të merren me këtë çështje dhe të sqarohet gjithçka.
“Duke pasur në konsideratë rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), si dhe për të mbrojtur reputacionin dhe kredibilitetin e saj si dhe interesat e punëtoreve të saj, Sindikata e Punëtorëve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës kërkon nga të gjitha organet kompetente që të merren me pretendimet e sinjalizuesit dhe të sqarohen të gjitha çështjet e ngritura sa më shpejtë”, thuhet në komunikatën për media.
Gjithashtu, në reagimin e saj SPBQK-ja ka inkurajuar të gjithë anëtaret sindikatës që të raportojnë të gjitha parregullsitë e vërejtura pa u frikësuar, sepse janë të mbrojtur nga Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
E lidhur me këtë ka reaguar ditë më parë edhe Banka Qendrore e Kosovës, e cila ka deklaruar se çështjet e pretenduara në këtë letër kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit të BQK-së dhe vënien e këtij institucioni nën presionin e palëve, të cilët mund të kenë për qëllim realizimin e interesave të ngushta përmes BQK-së./Telegrafi/