Sindikata e Policisë së Kosovës, ka shprehur shqetësimin dhe ka reaguar për arrestimet e zyrtarëve policorë që janë bërë nga Inspektorati Policorë i Kosovës (IPK).
Sipas njoftimit, vërejtjet dhe kërkesat e Sindikatës së Policisë kanë qenë që IPK-ja të mos bëjë veprime spektakulare dhe të gjitha veprimet e IPK-së të jenë profesionale dhe arrestimit të behën duke siguruar prova të qëndrueshme para veprimeve të tyre.
“Sindikata e Policisë së Kosovës, arrestimet e fundit në pikat kufitare, i konsideron të papranueshme për faktin se, zyrtarët policorë janë trajtuar si kriminel dhe janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova për veprat e pretenduara nga IPK-ja, këtë që po e themi e vërteton edhe Vendimi me nr.PPS nr. 13/2022, me numër të lëndës 2022:0018374, i lëshuar me datë 02.08.2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për ndërprerjen e hetimeve ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë në këto arrestime”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se: “Ky vendim e konfirmon shqetësimin tonë të shprehur në vazhdimësi se arrestimet e zyrtarëve policorë po bëhen me nguti, pa siguruar prova dhe pa i shterur të gjitha mundësitë e parapara sipas Kodit të Procedurës Penale”.
Sindikata e Policisë iu bënë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë, e në veçanti IPK-së që t’i ndalë të gjitha veprimet e ngutshme, spektakulare dhe të kundërligjshme.
“Sindikata e Policisë së Kosovës u bënë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë, e në veçanti IPK-së që t’i ndalë të gjitha veprimet e ngutshme, spektakulare dhe të kundërligjshme, tani më të dëshmuara edhe me vendim të institucioneve relevante, sepse këto veprime, padrejtësisht po njollosin dhe po degradojnë imazhin e Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë dhe familjet e tyre, e me këtë duke dëmtuar edhe reputacionin e Republikës së Kosovës”, theksohet tutje.
Ndërkaq, sipas tyre, Sindikata e Policisë së Kosovës do të jetë në mbrojtje të institucionit policor, zyrtarëve policorë dhe të gjithë pjesëtarëve të policisë duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ligjor për të kërkuar përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që bëjnë arrestimet pa prova të mjaftueshme dhe të pabazuara, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave njerëzore të pjesëtarëve të PK-së, të drejta këta të garantuara me ligje vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/