Site icon Telegrafi

Sindikata e Policisë së Kosovës nuk pajtohet me rritjen e pagave të propozuar nga Qeveria

Foto: Ilustrim/Arkiv

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga qeveria për rritjen e pagave, duke kërkuar rritje prej dy koeficientësh.

Në një komunikatë për media Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit.
Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

“Duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë”, thuhet në komunikatë.

Sipas SPK, kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit tanë, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit. /Telegrafi/

Exit mobile version