Sindikata e Policisë së Kosovës e ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj zyrtarëve policorë në veri të vendit, ndërsa kanë kërkuar që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit ndaj kryerësve të veprave penale.
Përmes një komunikate për medie, kjo Sindikatë thotë se pesë zyrtarët policorë pësuan lëndime derisa ishin në detyrë zyrtare duke vepruar në ndjekjen e krimit të organizuar dhe kontrabandës.
“Duke mos zbatuar urdhërat e zyrtarëve policorë për tu ndalur, një kamion ka goditur veturën e policisë me që rast pesë zyrtar policorë kanë pësuar lëndime si dhe janë shkaktuar dëme materiale. Zyrtarëve policorë u dëshirojmë shërim të shpejtë, kurse nga organet e drejtësisë kërkojmë që të veprojnë sipas ligjit ndaj kryesëve të këtyre veprave penale”, thuhet më tej.
Tutje theksohet se veprimi sipas ligjit nga Prokuroria dhe Gjykata do të ndikonte në parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë dhe veprave tjera penale.
“Policia e Kosovës janë krenaria e të gjithë neve prandaj ju jemi mirënjohës për punën, sakrificën, guximin dhe profesinalizmin që po e tregojnë për çdo ditë në përmbushjen e misionit të tyre!”, thuhet në fund, transmeton Telegrafi.