Telegrafi

Sindikalistët: Kujdes me Trepçën, se do të përsëritet e ’89-ta

Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Nezir Behrami, ka thënë për Radio Dukagjinin se minatorët e Trepçës kanë besim të madh në institucionet shtetërore. Por, nëse ata tradhtohen, atëherë këto institucione do t’i marrin për kundërshtarë.

“Nëse dështon Qeveria, nëse bie nën ndikimin e serbëve, atëherë le të vazhdojnë. Por, është rrezik i madh që e ‘89-ta të përsëritet me një fluks shumë, shumë, shumë më të ashpër dhe më të rrezikshëm se që ka qenë atëherë”, thotë ai, duke shtuar se shpreson se kjo nuk do të ndodh.

Sipas tij, është pritur me vite që do të miratohet Ligj i veçantë për Trepçën, ligj ky që do të t’i stimulonte dhe do të siguronte punëtorët se nuk do të shkohet drejtë falimentimit apo likuidimit të “Trepçës”.

Duke folur për borxhet, Behrami tha se “kredituesit” janë kryesisht nga Serbia dhe Greqia dhe se ata nuk janë të verifikuar.

“Borxhet ndahen në tri grupe. Në periudhën 1990-1999, Serbia ka krijuar borxhe që nuk mund të verifikohen”, thotë ai.

Borxhet që dokumentohen se kanë shkuar për investime në Trepçë, janë të pranueshme për kryesindikalistit Behrami.

“Por, ato të krijuara nga Serbia, për qëllime të saja, përfshirë armatosjen kundër shqiptarëve, nuk do të pranohen”, thekson ai.

Duke komentuar protestat e kolegëve serbë në veri, Behrami deklaron se ata kanë qenë gjithmonë të privilegjuar, meqë janë paguar edhe nga Serbia.

“Puna e tyre ka qenë politike”, thotë ai, duke shtuar se punonjësit shqiptarë të Trepçës janë të motivuar që të vazhdojnë me rezultate të mira të punës. /Radio Dukagjini/Telegrafi/