Site icon Telegrafi

Simptomat e hershme të kancerit të gjirit, Goga: Janë të përgjithshme, si lodhje, plogështi, humbje disponimi – nuk ndërlidhen me sëmundjen

Onkologia Vildana Goga në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur edhe për simptomat e hershme të kancerit të gjirit, të cilat tha se janë të përgjithshme dhe që nuk ndërlidhen me sëmundjen.

Doktoresha theksoi se në fillim të sëmundjes atë që gruaja ndjen është lodhje, plogështi, humbje oreksi, humbje disponimi, pra simptoma të përgjithshme që nuk ndërlidhen me sëmundjen.

“Këto do të ishin simptomat fillestare pa prekur diçka në gji…”, u shpreh Goga.

Doktoresha tutje shpjegoi edhe për periudhën kur një grua arrin të vërejë ndonjë ndryshim në gji.

“Asnjë grua nuk do të dëshiroja që të vijë dhe me ndonjë nga simptomat… Ato të hershme për mjekun klinicistë nuk janë më të hershme sepse qelizave tumorale i duhen një kohë gogja e gjatë për me u shfaq ose mu bo ndonjë ndryshim në gji sa gruaja mund ta prek ose të vendos që duhet të bëjë mamografi ose ultrazë”, tha ajo.

Sipas saj, simptomat që vërehen ose preken janë ndryshimet në gji, si ndryshimet në lëkurën e gjirit, formën e gjirit, strukturën e gjirit, ndryshimet në majën e gjirit e nënsqetull.

“Kjo përcillet me simptomatologji të ndryshme, shembull në lëkurë mund të ketë ndryshime ngjyre, një maje e gjirit që mund të gjakos ose ulcerative, ose një maje gjiri e tërhequr brenda si pasojë e ndryshimeve brenda në gji.

Pastaj, kur shfaqen dhimbjet e shpinës sëmundja është më e avancuar”, tha ajo. /Telegrafi/

 

Exit mobile version