Ish-trajneri i Interit, Gigi Simoni beson se braziliani Ronaldo ishte shumë më i kompletuar se sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo.
Braziliani shënoi 34 gola në 47 ndeshje për Nerazzurrët me Simonin në stol dhe trajneri beson se ai ishte një lojtar më i mirë se sa CR7.
“‘Ronaldo im ishte shumë më i kompletuar, më i paparashikueshëm”, ka thënë fillimisht Simone për SportNews.
“Ata janë dy lojtarë të ndryshëm. Cristiano është një lojtar i mirë, por il Fenomeno ishte diçka tjetër”.
Ronaldos iu mohua në mënyrë kontroverse një penallti kundër Juves në vitin 1998, por Massimo Moratti dhe Andrea Agnelli duket se kanë bërë paqe në muajt e fundit.
“Kurrë nuk kam parë një President të zemëruar, sa ishte Moratti në lidhje me atë incident. Është një kujtim shumë i trishtuar, veçanërisht për ata prej nesh që pësuan një padrejtësi të rëndë”.
“Do ta kemi gjithmonë atë kujtesë, për mua asgjë nuk harrohet dhe do të mbetet në mendjen e tifozëve të Interit”.
“Në një periudhë të caktuar, Juventusi u udhëhoq nga karaktere të veçanta, dhe në vitin 2006 ata u dërguan në Serie B”, përfundoi trajneri. /Telegrafi/