Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ishte plot lëvdata për lojtarët e tij pas fitores 1-0 në derbin e javës ndaj Barcelonës, fitore e cila zgjati serinë pa humbje të Los Colchoneros në sezonin 2020/21 në La Liga.
Atletico fitoi si vendas ndaj Barcelonës me rezultat minimal 1-0 falë një goli të minutave shtesë të pjesës së parë nga belgu Yannick Carrasco falë edhe një gabimi të portieri Marc-Andre Ter Stegen.
Simeone ishte tipik pragmatik në intervistën pas ndeshjes dhe gjithë meritat e fitores ia dha lojtarëve të tij, pas natës historike në Wanda Metropolitano.
“Skuadra po luan shumë mirë tani. Jam i lumtur për lojën ekipore. E kam thënë atë për ca kohë dhe kjo na jep besim për të vazhduar të punojmë shumë”, ka thënë fillimisht Simeone.
“Kur ekziston një lidhje midis ideve dhe punës në fushën e stërvitjes dhe ekzekutimit në fushë, kjo është shumë mirë”.
“Këta lojtarë japin gjithçka për ekipin dhe për njëri-tjetrin”.
“Tani duhet të vazhdojmë ta mbledhim këtë energji dhe të konkurrojmë mirë, pasi të mërkurën kemi një lojë shumë të rëndësishme”, përfundoi argjentinasi.
Fitorja kundër skuadrës së Koeman e çon Atleticon në vendin e dytë në tabelën e La Ligas me pikë të barabarta me liderët e Real Sociedad.
Skuadra e Simeones është në aksionin e Ligës së Kampionëve në mesjavë, me një ndeshje në shtëpi kundër skuadrës ruse Lokomotiv Moscow, ku një fitore do t’i vendosë ata në prag të një vendi në 1/16-tën. /Telegrafi/