(Dramë)
Nga: Almir Imshireviq (Imširević)
Përktheu nga origjinali: Fadil Bajraj
SI PUNOHET SHFAQJA
Të merren katër aktorë (dy vajza dhe dy djem) e të vendosen në hapësirë boshe dhe të përzihen për merak. Të mbahen aq gjatë derisa të fillojnë të aktrojnë, jo një karakter, por shumë karaktere. Pastaj t’u jepet rekuizita: një tavolinë kirurgjike, një makinë për qepje dhe një çadër. Kur të mbarojë kjo, dalëngadalë t’u vihet një tramvaj dhe një snajper.
VËREJTJE: TË SHËRBEHET ME RREPTËSI!
“Çka do të del prej gjithë kësaj?
Vallë aq lehtë aktrohet?
Mos, pashë Zotin!”
***
MODERATORI
AKTORI I PARË
AKTORJA E PARË
AKTORJA E DYTË
FRANJO FERDINANDI
SOFIJA
SHOFERI
HETUESI
ISHAK PORÇA
GJYSHI
FOSHNJA
DOKTORI
BABAI
NËNA
MIROSLAV KRLEZHA
VAJZA E ISHAKUT
DASHNORJA E ISHAKUT
KRITIKU
REJMONI
ROJTARI
POLITIKANI NË TV
VAJZA NË SHTRAT
SNAJPERISTI
CYRANO
ALMIR IMSHIREVIQ
PUBLIKU
***
FILLIMI
Në skenën e zbrazët del Moderatori dhe i drejtohet publikut.
MODERATORI: Aktorët po presin, po nervozohen, e juve ju duket se vetëm pak jeni vonuar. Të gjithë kanë ardhur këtu të ngazëllyer me punën që do të ndodhë së shpejti, e ju po silleni asi soji saqë tash nuk kam vullnet të punoj me ju … Unë tej mase e çmoj punën tonë për të lejuar një … një … dezorganizim të tillë dhe për këtë arsye e konsideroj si obligim timin të kam disiplinë ushtarake. Edhe publiku njashtu si ushtria duhet të ketë disiplinë të hekurt. A mund t’ia fillojmë më në fund? Mundemi!? E pra, po ia fillojmë. Në art, para së gjithash, duhet të jesh i zoti të shohësh dhe të kuptosh të bukurën. Më se miri është kur shikuesi i gjithi pushtohet nga pjesa teatrale, kur është në gjendje ta përjetojë shfaqjen. Çfarë mendoni Ju … po, ju … a është e mundur ta mësosh vetveten ose tjetrin për t’u interesuar për shfaqje dhe për atë që është qenësore në të? Mendoni se është e mundshme? Epo, nuk është kjo bash edhe aq lehtë. Mos u ngazëlleni para kohe. Së pari duhet të mësoni të shikoni. Po, të shikoni! E pra, do të fillojmë me ushtrimin e parë … po e thërrasim Aktorin e Parë … (thërret) Aktor! Aktori i parë!
Në skenë del Aktori i Parë.
Ky është Aktori i Parë! Merre karrigen … ulu, ashtu. Siç po e shihni, tash aktori nuk di se nga të shikojë. Shikimi i tij nuk përqendrohet dot, zemra i rrah me ritëm të shpejtë … nuk ndihet mirë, ai është i vetëm, e ne jemi aq shumë dhe të gjithë jemi duke e shikuar atë. Kjo është e bezdisshme. Nuk e besoni? Epo, provojeni vetë. Ju lutem, ju në rreshtin e dytë, po, po, ju, ejani … hipni në skenë. Ndaluni këtu, ashtu, e ne të gjithë do t’ju shikojmë … A u bindët? Kthehuni në vendet tuaja, faleminderit. E tash, shpejt duhet të gjejmë të ashtuquajturin objekt të vëmendjes për Aktorin tonë të Parë, por jo në mesin e shikuesve, por në skenë. Për ta ndarë nga shikuesit, aktorit duhet tërhequr vëmendja me shkathtësi përmes ndonjë objekti interesant këtu, në skenë. E dini si ia tërheq vëmendjen nëna fëmijës me lodër … (Aktorit të Parë) Nëse ti je subjekt, atëherë çdo gjë që është jashtë teje është objekt. Ndërsa jashtë teje është krejt bota … dhe në të ka shumë objekte të ndryshme … Çfarë duhet zgjedhur? Çfarë duhet zgjedhur? Prit një çast.
Moderatori del nga skena. Kthehet pas disa çastesh, para vetes shtyn tavolinën kirurgjike.
Tavolina kirurgjike! Kjo është nga një shfaqje tjetër, por mund të na hyjë në punë. Ky është objekt i mirë, interesant. Tash koncentrohu dhe orientoje gjithë vëmendjen tënde në të. A e bëre? Epo, mirë. Ndërsa ne po vazhdojmë. Tash do ta ftojmë AKTOREN E PARË! Aktorja!
Në skenë del Aktorja e Parë.
Kjo është Aktorja e Parë. Edhe ti merre karrigen dhe ulu. Relaksohu, edhe për ty do të gjejmë një objekt të vëmendjes … tash unë do të … shiko në dysheme derisa të kthehem.
Moderatori largohet nga skena, kthehet dhe sjell me vete një makinë qepëse. E vendos mbi tavolinën kirurgjike.
Makinë qepëse! (Aktores së Parë) Orientoje vëmendjen tënde dhe përqendrohu në këtë objekt … ashtu … (thërret) Aktorja e Dytë! Le të dalë Aktorja e Dytë!
Paraqitet Aktorja e Dytë.
Zëre vendin tënd … aty pranë, po. A u rehatove? Do të gjejmë objekt edhe për ty … (niset të largohet nga skena, por atëherë ndalet dhe i drejtohet publikut) A ka çadër ndokush në publik? Të thjeshtë, më të thjeshtën çadër … të zezë … ose çfarëdo ngjyre tjetër? Për bukuri, jepmani, ju lutem. Çadër të mrekullueshme të lagur … edhe atë do ta vëmë në tavolinë. (Aktores së Dytë) Tash ti orientoje vëmendjen tënde në këtë çadër … ashtu. (Publikut) Për një grimë kohë do t’i lëmë aktorët me objektet e tyre, tash Ju e keni radhën! Mos kini frikë! Ushtrimi është shumë i thjeshtë. Do t’ju lusja që secili nga Ju ta përqendrojë vëmendjen e vet në aktorin … ose aktoren … në njërën prej këtyre dyjave. Nuk keni nevojë që bash të gjithë ta shikoni njërën! Epo, mirë, mund t’ia fillojmë! Tash!
Pauzë.
Bëhuni më seriozë! Ky nuk është shikim, por zgurdullim! Më me vëmendje!
Pauzë.
Po të kisha aparat fotografik për t’ju fotografuar, çfarë fotografie do të dilte. Atij lart sa nuk i kanë dalë sytë. Përpiquni më pak! Më pak! Relaksohuni krejtësisht … hala … hala … Përse po përkuleni kah aktorët? Tërhiquni mbrapa! Ashtu.
Pauzë.
Ju lumtë! Urime, urime! Ja pra, këtij i thonë shikim … tash vetëm kështu vazhdoni, e unë po u kthehem aktorëve. Tash do të duhej të ishit të gatshëm për ushtrimin tjetër. Ju pëlqen magjia? Atëherë kjo do t’ju pëlqejë. Pa shkop magjik, por me ndihmën e dy fjalëve magjiplote, do t’i shndërrojmë këto objekte në diçka krejtësisht tjetër. Do t’jua zbuloj fshehtësinë dhe do t’jua them ato dy fjalë – “sikur të”. Po, thjesht “sikur të”. Përdoreni fantazinë tuaj dhe thoni vetes – po të ishte kjo … jo, më tutje duhet të vazhdoni vetëm. Do ta fikim dritën dhe do të presim tridhjetë sekonda, kur të ndizet sërish – përpara juve nuk do të jenë më tavolina kirurgjike, makina e qepjes dhe çadra … mund t’ia fillojmë? Jeni të gatshëm? Fikni dritat!
Në sallë bie errësirë e plotë. Kur të ndizen dritat sërish, Aktori i Parë dhe Aktorja e Parë rrinë ulur në tavolinën kirurgjike sikur të ishte automobil. Aktorja e Parë mban çadrën të hapur, ndërsa Aktorja e Dytë është e ulur para tyre dhe mban në duar një rrotkë të makinës së qepjes sikur të ishte timon. Moderatori shtyn tavolinën nëpër skenë. Aktori i Parë përshëndet publikun me dorën e ngritur lart.
MODERATORI: Me “magjiplotën” dhe të thjeshtën “po të” fillon krijimtaria. Prandaj, merreni me mend … sikur të ishte ky këtu Franjo Ferdinandi (bën me shenjë në drejtim të Aktorit të Parë), e kjo të ishte gruaja e tij Sofija (bën me shenjë kah Aktorja e Parë), dhe shoferi i tyre (Aktorja e Dytë) … dhe po të ishte kjo skenë Sarajeva nëpër të cilën ata do të voziteshin … atëherë Ferdinandi do të thoshte …
FERDINANDI: Unë i urrej tramvajet, por e dua gruan time, Sofinë.
MODERATORI: Ndërsa Sofija do të thoshte …
SOFIJA: Mua më pëlqejnë uniformat, por e urrej kuzhinën orientale.
MODERATORI: E shoferi do të … ai kurrgjë s’do të thoshte. Por, Ferdinandi do të thoshte …
FERDINANDI: Unë i urrej udhëtimet, por më pëlqejnë tatuazhet.
MODERATORI: E Sofija do të thoshte …
SOFIJA: Mua më pëlqejnë ushtrimet manovrike, por i urrej ushtrimet stilistike.
MODERATORI: Shoferi, prapë, gjë s’do të thoshte, por Ferdinandi …
FERDINANDI: Unë i urrej aksidentet, por më pëlqen teatri.
MODERATORI: Sofija nuk do të mund të thoshte gjë, sepse po të isha Gavrilo, unë nga principi do të qëlloja. Po sikur të kisha të veshur setër, unë do ta nxirrja revolen prej saj, dhe po të ishte revole kjo, ajo do ta vriste Ferdinandin … kështu. E po të ishte ky Ferdinandi i vërtetë i vdekur, sikur të … më falni, kam harruar ta vras Sofijen … dhe sikur kjo të ishte Sofija e vërtetë e vdekur, atëherë shoferi i vërtetë i gjallë do të bërtiste …
SHOFERI: Luftë! Luftë! Ka filluar lufta!
Drita fiket. Nga errësira dëgjohet zëri i Moderatorit.
MODERATORI: Edhe ky ushtrim u krye me sukses. Tash fantazia jonë mund të bëjë shumë më tepër. Vëmendjen tonë mund ta orientojmë edhe në gjërat që nuk shihen, në gjërat që nuk janë. Pak do t’ju ndihmojmë që t’i rikujtoni. Ia fillojmë. Tramvaji!
AKTORI I PARË: Tramvaj është fjalë e gjuhës angleze dhe do të thotë tramvaj. Hekurudhë elektrike për trafik personal. Furnizohet me rrymë nga rrjeti elektrik rrugor.
AKTORJA E PARË: Dikur tramvajet lëviznin me ndihmën e kuajve. Tramvaji i parë që e kanë tërhequr kuajt daton në vitin 1820 dhe është paraqitur në Angli.
AKTORJA E DYTË: Tramvaji i parë me motor elektrik daton në vitin 1879 dhe është paraqitur në Berlin. Tramvaji i parë në Sarajevë është lëshuar …
MODERATORI: Snajperi!
AKTORI I PARË: Snajper është fjalë e gjuhës angleze. Qëllimi dhe karakteristikat teknike të pushkës snajper janë …
AKTORJA E PARË: Snajperi është armë këmbësorie, që ka për qëllim shkatërrimin individual të forcës armiqësore.
AKTORJA E DYTË: Rezultatet më të mira i arrin në distancën e 400 metrave. Fjala “snajper” rrjedh nga fjala e gjuhës angleze “snipe” dhe do të thotë – çukit.
TË GJITHË: Ko-ko-daaa, ko-ko-daaa, ko-ko-daaa, ko-ko-daaa …
MESI
Drita ndizet. Aktorët ulen në karrige, të sistemuar ashtu që e gjithë kjo situatë t’i përkujton gjykimet e kriminelëve të luftës në Hagë. Moderatori i lexon shënimet, ndërsa të tjerët pothuajse në mënyrë simultane i përkthejnë në tri gjuhë të huaja. Aktori i parë është i ndarë sikurse të ishte i dënuar.
MODERATORI HETUES: Në tramvajin numër tre … gjatë kohës së luftës në Sarajevë … një i ri i moshës 26-vjeçare … në fermerka dhe në fanellë të zezë … Në afërsi të hotelit “Holiday Inn” … plumbi i snajperit e thyen xhamin … dhe e qëllon të riun në qafë … Zonja e veshur në të bardhë, e cila qëndronte pranë tij … fillon të bërtasë … Kur e sheh gjakun në këmishën e vet … i bie të fikët … Dy orë më vonë … prapë e shohim … te Katedralja … në afërsi të “Kafenesë së qytetit”. Por, tash është në shoqëri me një shoqe më të re nga mosha … e cila i thotë … “Unë ngandonjëherë mundem edhe nga katërmbëdhjetë herë!” … Lëpin akullore … dhe buzëqesh.
Fillon hetimi. Që nga kjo skenë të gjithë aktorët herë pas here i luajnë disa role, vetëm Ishakun gjithmonë e luan Aktori i Parë.
HETUESI: Emri dhe mbiemri.
ISHAK: Ishak Porça.
HETUESI: Viti dhe vendi i lindjes.
ISHAK: 1973. Sarajevë.
HETUESI: A ju kujtohet fëmijëria juaj?
ISHAK: Jo, jo edhe aq mirë. Më kujtohet se si gjyshi për ditëlindjen time të parë solli në shtëpi një tortë të mbështjellë me letër të bardhë. Torta ka qenë prej çokollate, e zbukuruar me lule bajami. Në atë mbrëmje farefisi rrinte ulur në rreth, përreth tortës me një qiri.
HETUESI: Më flisni për gjyshin.
ISHAK: Gjyshi e pat fikur qiriun, m’i pat hequr teshat dhe më vuri në tortë. Deri në gjunjë u pata futur në tortë. Kur më nxori, në tortë patën mbetur gjurmët e shputave të mia … ama të gjithë e hanin.
HETUESI: E gjyshi?
ISHAK: Gjyshi më vonë këtë nuk e mbante mend. Njeri goxha interesant, ai gjyshi im … ka qenë i martuar nja shtatë a tetë herë. As ai vetë më nuk ishte i sigurt.
HETUESI: Gjyshi!
Ditëlindja. Farefisi ulet në radhë rreth tortës me një qiri.
GJYSHI – NGURRIMI: Nuk jam bash i sigurt kur ka ndodhur e gjithë kjo, në mëngjes apo pasdite, por më duket se ka qenë e mërkurë … nuk e di, ndoshta ka qenë e enjte! Udhëtoja me autobus … ose me tramvajin … numër dy … jo, jo, treshi, megjithatë ka qenë treshi. Bash ishim duke kaluar pranë kazermës “Marshall Tito” … jo, ma merr mendja se ishim para hotelit “Holiday Inn” … nuk jam i sigurt. Plumbi pat ardhur nga drejtimi i varrezave hebreje … në të vërtetë, varrezave katolike … ose jo, nuk e di. Pat depërtuar nëpër xham, po, tamam po më kujtohet, e atëherë e pat qëlluar një të ri me fanellë të bardhë … ose jo, zonja që rrinte pranë tij ishte e veshur me të bardha, ndërsa ai ka qenë me … nuk jam bash krejtësisht i sigurt … me fanellë të kaltër ose të kuqe? Plumbi e mori në qafë, njashtu diçka, me gjasë në qafë … e, ndoshta, edhe në supe … sa më shumë po mendoj, asgjë s’po guxoj të pohoj. Ai menjëherë ra, po, ashtu, bash ashtu, e pastaj një gruaje i ra të fikët. Nga frika? Nga vapa? Më parë do të thosha … nuk e di … nga gjaku? Kujtoj se po të njëjtën zonjë më pas e kam takuar diku, ama ku ka mundur të ketë ndodh kjo? Para xhamisë së Begut? Te Teatri Popullor? Para ndonjë vitrine, ndonjë kafeneje? Ka qenë, më duket, me një vajzë që qeshte … dhe fliste diçka mbi … nuk jam i sigurt. Vritmë, por nuk më kujtohet.
Hetimi.
HETUESI: Çfarë keni bërë më 6 prill 1992?
ISHAK: E çoja vajzën time të abortonte.
HETUESI: Nuk ju dëgjova.
ISHAK: E çoja vajzën time të abortonte. Ajo i urren abortimet.
HETUESI: E ju?
ISHAK: Edhe unë i urrej abortimet. E pat përdorur anestezionin lokal, ashtu mjeku i pat rekomanduar. Pastaj patëm shkuar për të ngrënë picë, më patën mbetur do para … e pata shitur një zinxhir të arit me vjegcë. Më vonë po të njëjtin zinxhir e pata riblerë, atë e kam kujtim. Gjithçka mbaroi mirë.
HETUESI: E doktori?
ISHAK: Doktori ka qenë goxha preciz, thonë se kjo është më e rëndësishmja … preciziteti.
Lindja.
DOKTORI-SAKTËSISHT: Në Sarajevë, qytet i cili në atë çast kishte 350 684 banorë, në tramvajin e kuq numër 3, i cili qarkullon në linjën Ilixhë – Bash Çarshi, i gjatë 25 metra, i gjerë 2 metra e 15 centimetra, me 47 vende për t’u ulur dhe 171 vend për të qëndruar në këmbë, pikërisht në orën 14 e 23 minuta e 15 sekonda, një person i gjinisë mashkullore, i moshës 21 vjeç e 2 muaj e 7 ditë, i gjatë 1 metër e 74 centimetra, i peshës 69 kilogramë, me fanellë të zezë të madhësisë XXL, është qëlluar me plumb snajperi, të kalibrit 7, 9 milimetra, nga distanca prej 1 207 metrash. Plumbi pat ardhur nga drejtimi i varrezave hebreje dhe nën këndin e 37 shkallëve pat shpuar xhamin e dritares, pastaj është futur në qafen e të riut, duke ia këputur arterien dhe zinxhirin e arit prej 24 karatësh, në të cilin gjendej një vjegcë me shkronjën “M” të gravuar. Në distancë prej 37 centimetrash nga viktima qëndronte një person i gjinisë femërore, i moshës 32 vjeçe, 7 muaj dhe 2 ditë, gjatësia 1 metër e 65 centimetra, pesha 65 kilogramë, me këmishë të bardhë të markës “Alhos”. Ninëza e gjakut që u përhap nëpër gjoksin e gjerë 97 centimetra, u pasqyrua në korteksin zverkor. Fijet asociative e morën porosinë dhe e bartën informatën në segmentin parietal, aty ku është bashkuar porosia. Ky bashkim ka aktivizuar një pjesë në hipotalamus dhe ka shkaktuar zgjerimin e damarëve të gjakut në muskujt e femrës. Gjaku ka rrjedhur nga truri i saj në mënyrë që t’i mbushë damarët e zgjeruar të gjakut dhe kjo ka shkaktuar humbjen e vetëdijes. Pikërisht pas 137 minutash e 6 sekondash ajo gjendej 7 metra prej shkallëve të Katedrales dhe 4 metra e gjysmë nga hyrja e “Kafenesë së qytetit”. Me të ishte një vajzë 20-vjeçare, e gjatë 172 centimetra, pesha 59 kilogramë, në dorë mbante akullore me dy toptha (???) prej vaniljes dhe një topth citroni. I ka shqiptuar gjashtë fjalë e një lidhëse: “Unë ngandonjëherë mundem edhe nga katërmbëdhjetë herë!”
FOSHNJA-FOSHNJËRISHT: Kam qenë në tlamvajin numël tle …kaq ëstë, tle, një, dy, tle. Atëhele kemi kalual planë ‘otelit “Hojidej Inn”, lle atëhele u ndie’ klisma dhe një gjys’, gjysi ka pasul fanellë të zez’, ai la … këstu. Pastaj një teto filoi të bëltas, ajo ka qenë me plot gjak, edhe ajo la … këstu. Un’ edhe ma von e kam pal atë teton, atje te, si quhet ajo, te ajo shpija e malle … te Katedjala; ajo ma nuk llëxohej, pol folte me një teto tjetël. Atëhelë kam dëgjual at’ teton si folke: “Unë ngandonjëhelë munem elle ‘ga katëlmbëljetë helë! Kaq ëstë, një, dy, tle … hala s’di t’numloj deli n’ katëlmbëljetë, un’ du’ akulole …
Hetimi.
HETUESI: Profesioni i babait tënd?
ISHAK: Dispeçer i hekurudhës. Ai e urrente tollovinë, urrente të udhëtonte dhe kishte urrejtje ndaj ngrënies me pirun. Bash e urrente. Ka vdekur më 1987. Ka pasur qejf të shante dhe mbante çadër, edhe gjatë verës e mbante çadrën. Gjithmonë e mbante me vete. Quhej Ibrahim … baba im.
HETUESI: Profesioni i nënës sate?
ISHAK: Rrobaqepëse.
HETUESI: A ju kujtohet ngjyra e syve të saj?
ISHAK: Jo.
HETUESI: A e ka tradhtuar ndonjëherë babai yt nënën tënde?
ISHAK: Për çfarë e keni fjalën?
HETUESI: Dua të them, a ka qenë ndonjëherë me ndonjë grua tjetër dhe a ka pasur me të …
ISHAK: Jo.
HETUESI: A jeni i sigurt?
Babai dhe e ëma rrinë pranë tryezës së kuzhinës kirurgjike. Babai mban në dorë çadrën dhe gazetën, e ëma punon pranë makinës qepëse.
BABAI-ME SHPREHJE SHARËSE: Së pari desh kopa kur e kam parë se çfarë tollovie ishte në tramvajin e hamamtë. Mutat ishin ngarkuar, s’mund të merrje frymë, pidhin e nënës katundareske ua qifsha! I hapin sytë si bufa, pordhin, gogësijnë, e pastaj tek ai hoteli pederast, njëfarë masturbatori prej kodre krisi me snajper dhe e qëlloi një qurravec me fanellë të zezë. Edhe një lopë ia nisi të bërtiste, dhe pastaj u alivanos. Tramvaji i shkërdhyer, gati ia pata futur çadër në rradake asaj. Pas dy orësh, te “Kafeneja e qytetit”, prapë e pashë atë kudrën përloshane, rrinte me një karjoshëse të re, pasha karin vetëm ta shihje si dukej. E lëpinte njëfarë akullore të mutsihantë dhe e dëgjoja si thoshte: “Unë ngandonjëherë mundem edhe nga katërmbëdhjetë herë!” Çka bre katërmbëdhjetë … paj unë me të kisha mundur edhe pesëdhjetë herë, nënën ma qifsh po qe se nuk do të mundja!
NËNA-FEMËRORÇE: Ajo nuk mund të përshkruhet, kur po të them. Tramvaj i mbushur përplot, e pastaj edhe vapa, kundërmimet, phu, për të dalë mendsh. Atë ditë e pata veshur atë fustanin tim të ri, e di atë me lule të kaltra, ngjyrë bezhë, edhe ai materiali, aq është i butë përfundi dorës. Kur mendoj pak më mirë, nuk e pata paguar edhe aq shtrenjtë, cikërrimë. Mund të gjenden edhe gjëra më të lira, por që kanë kualitet, veç kur e di se ku duhet t’i kërkosh. E unë këtë fort mirë e di, e ç’dua të të them. Kryesisht, ajo turmë aq shumë më ngjeshte duke u shtyrë rreth meje, saqë fustani m’u rrudh menjëherë pas ndalesës së parë, e atëherë një plakushe më rroki me kaçile dhe, mund ta marrësh me mend, ma shqepi fustanin, epo bash këtu, desha t’ia fus atë kaçile në kokë. Ndërsa ajo vetëm u kthye, dhe a e di se ç’më tha, mund ta marrësh me mend se ç’më tha, më tha – po kërkoj falje. Paj kërkoji falje ti dikujt tjetër. Veç sa desha t’i përgjigjem, kur aty për aty plumbi. E theu xhamin dhe e qëlloi një të ri, një riosh i pashëm, ashtu në fanellë të zezë dhe në fermerka, simpatik, as shtatlartë, as shtatshkurtër. Atëherë njëfarë lope ia nisi të bërtiste, shihja se si iu kishte njollosur këmisha, nuk ishte kushedi se çfarë kualiteti por, them unë, paj nuk di çdokush të zgjedh veshje të hairit. Sintetikë e thjeshtë, ashtu me një jakë të madhe, me përthekim dyradhësh, pa kurrfarë shije, për besë. Nga ajo këmishë as që ia vlen t’i heqësh njollat, më mirë është ta flakësh menjëherë, s’ka përse të lodhet njeriu për gjëra të tilla që mund t’i gjesh në çdo pazar gjërash të përdorura. Dhe mund ta marrësh me mend, nuk do të më zësh besë, pas dy orësh prapë e kam parë po të njëjtën grua. Futem unë në “Kafenenë e qytetit”, kur e shoh atë, shikoj pak më mirë, po, përnjëmend ishte ajo, po e njëjta këmishë e shëmtuar. Ama ajo shoqja e saj po rrinte me një vajzë, mund të të them, e veshur bash me shije, me stil, mendja mos me ta marrë, krejt sipas modës së fundit. Ka pasur atë fustanin e njëjtë që e shikoja në “Burdën” e kaluar, e di, bordo, me bel rrudha-rrudha, kështu deri te nyjat, i thjeshtë, por që mund ta veshësh gjithkund. Dhe i afrohem, thashë, të shoh se a është e njëjta qepje, i njëjti model, nuk kam qejf të vesh gjëra që i kanë të tjerët, kur e dëgjoj se si thotë ajo vajza: “Unë ngandonjëherë mundem edhe nga katërmbëdhjetë herë!” Më erdhi zemra në vend, as nuk i shkonte për shtat atij fustani. Nuk e dinë njerëzit se ku mund të blihen gjërat e hairit, po të them.
Hetimi.
HETUESI: Në prill të vitit 1993 i keni vjedhur disa libra nga biblioteka e granatuar?
ISHAK: Po, kam zgjedhur vetëm botime xhepi … Kurrë më parë nuk kam vjedhur … paj, nuk është edhe aq gjë e tmerrshme, nuk mund të më akuzoni për një gjë të tillë, po e pranoj, i kam vjedhur dy libra.
HETUESI: Atë e keni njoftuar para disa muajsh?
ISHAK: Për kë e keni fjalën?
HETUESI: Për atë të parën … për vajzën tuaj.
VAJZA E ISHAKUT: Ishakun e kam njoftuar në dhjetor. Mbante kasketë … e mbaj mend se si e pat kthyer për të më puthur … kujtoj, kjo ka qenë më vonë … për Vitin e Ri. E di se dëshironte të ma falte librin “Cyrano …”, por nuk mund ta gjente. Askund në qytet nuk gjendej. Ama shumë vargje i dinte përmendsh … më dukej qesharak derisa ma aktronte atë skenën përfundi ballkonit … Nuk më kujtohet më asnjë varg. Sa të do të doja ta kisha atë libër.
DASHNORJA E ISHAKUT: Njëqind herë po ju them, asnjë Ishak nuk njoh. Epo mirë, ndoshta edhe e kam njoftuar por, marrë në përgjithësi, nuk më kujtohet. A ka kjo farë rëndësie? A është ai aq i rëndësishëm? Në të vërtetë … veç pakëz … po, tash më kujtohet … si nëpër mjegull. E keni fjalën për atë … O Zot, paj gati e kam harruar … s’ke ç’i bësh. Nuk mundet gruaja t’i mbajë mend të gjitha. Aq shumë fytyra, aq shumë emra, ndërsa të gjithë i ngjajnë njëri-tjetrit. Burrat si burra. Kur sheh njërin, i sheh të gjithë. Por më kujtohet, atë e kam njoftuar në teatër. Kujtoj, si mund të harroj … merr vesh? Jo, nuk ka qenë ai kushedi se çka, por unë nuk shkoj edhe aq shpesh në teatër.
Hetimi.
HETUESI: A ju kujtohet ndonjë titull i librave që keni vjedhur?
ISHAK: Jo.
HETUESI: Provoni.
ISHAK: Jo, nuk mundem.
HETUESI: Për çfarë bënin fjalë ata libra?
ISHAK: Nuk e di, kam harruar.
HETUESI: Mbi luftën?
KRLEZHA: Në Sarajevë, në atë mejhane të errët ballkanike, trupat e njerëzve janë vozitur nëpër shinat baltake, të cilat njashtu si historia, janë sjellë në rreth. Bellum omnium contra omnes, dhe një i ri me duar lirike. Ka mjaftuar sall një plumb, eine schmutzige Schu, për t’u trazuar përçartja e marrë, dëshpërimi dhe budallallëku. Hutat po ushqehen me zorrë të ngrohta të njerëzve, ndërsa ne shikojmë si në ndonjë teatër të pistë provincial. Es hal keinen Sinn! Zonja klithi, ngase është dashur me dramatizim histerik dhe me ndryshime të papritura intonimi të shprehet disharmonia e marrëzisë. Dy orë më pas, në afërsi të “Kafenesë së qytetit”, shoh prapë po të njëjtën zonjë, tash në shoqëri të një zonje të re, e cila iu është dorëzuar fantazisë sentimentale mikroborgjeze e, po ashtu, po lëpin akullore, makutërishëm njashtu siç lëpijnë qentë ballkanik gjakun e ngrohtë të njeriut.
Hetimi.
HETUESI: Kur e keni parë për të fundit herë vajzën tuaj?
ISHAK: Në qershor të vitit 1994.
HETUESI: Jeni grindur?
ISHAK: Jo, kjo nuk është e vërtetë. Kurrë nuk jemi grindur. Ndoshta njëherë kur unë …
HETUESI: Çfarë kishte pasur të veshur?
ISHAK: Nuk më kujtohet.
HETUESI: Ju pat thënë ndonjë gjë?
ISHAK: Po … pat thënë se nuk e di.
HETUESI: Se nuk e di? Çka se nuk e di? Çka e keni pyetur?
ISHAK: Nuk e di … e kam pyetur a më do … Pat thënë se secilën herë e më shumë i përngjaj babait. Atëherë unë ia tregova një truk të magjistarëve me një kinderve. Më pat thënë se më kishte parë në ëndërr.
HETUESI: A i pat pëlqyer truku?
I riu e bën trukun me kindërve. Vajza fle.
VAJZA-ËNDËRR: Krejt më dukej aq e vërtetë, edhe tramvaji, edhe njerëzit, edhe hoteli pranë të cilit kalonim. Qartë e kam parë fytyrën e të riut me fanellë të zezë, dhe pastaj, përmenjëherë krisma dhe ngjyra e kuqe. Një grua pat bërtitur, por fytyrën e saj nuk e kam parë, zhdukej ngadalë në njëfarë lloj lpeje, ndërsa britma e saj bëhej më e mekur. Atëherë prapë po e njëjta grua. Unë rrija diku pranë Katedrales, e shoh me njëfarë vajze, e cila mbante akullore në dorë dhe i thotë asaj: “Unë ngandonjëherë mundem edhe nga katërmbëdhjetë herë!” Dhe atëherë më doli gjumi.
Hetimi.
HETUESI: Në xhepin tuaj është gjetur një pako e mbështjellë …
ISHAK: Ajo është dhuratë … dhuratë për ditëlindje.
HETUESI: Për kë?
ISHAK: Ia kam blerë një dhuratë për ditëlindjen e 21. Kur u patëm njoftuar ia pata dhuruar një akuarium dhe i pata premtuar se secilën herë do t’i blej dhuratë që fillon me shkronjën vijuese … sipas alfabetit.
HETUESI: E kjo është …
ISHAK: Kjo është në shkronjë “c” … Mos e prekni atë! Mos e shpështjellni … ju lutem … Ajo është për të … Nuk arrita t’ia jap …
HETUESI: Alfabeti ynë është aq i vogël, apo jo? Keni hequr dorë nga dashuria për të?
ISHAK: Jo.
HETUESI: Në qershor të vitit 1994 keni qenë me …
ISHAK: Nuk kam hequr dorë nga dashuria për të.
HETUESI: Keni qenë me një vajzë tjetër?
ISHAK: Po gënjeni. Kush jua ka thënë këtë? Po gënjeni!
HETUESI: Së bashku e keni shikuar një shfaqje. Si titullohej ajo shfaqje?
ISHAK: Pushoni! Kjo nuk është e vërtetë! Nuk e di se për çfarë po flisni!
HETUESI: Për çfarë bëhej fjalë në atë shfaqje, mbi luftën? Më fol pak mbi atë shfaqje, çfarë ka qenë?
KRITIKU: Në dramën time të parë, të punuar sipas ngjarjeve të vërteta, Almir Imshireviq, autor i ri ende i panjohur për publikun tonë të teatrit, ka provuar të krijojë personazhe, ekzistenca e të cilëve realizohet në teh ndërmjet reales dhe fiktives. Akti i dramës zhvillohet në një tramvaj të Sarajevës, gjatë kohës së luftës. Protagonisti kryesor, i riu me fanellë të zezë, qëllohet me një plumb snajperi që është shkrepur nga kodra. Pikën kulmore të dramës e përcjellim përmes britmës së gruas, e cila u gjend në afërsi të të riut, ashtu që edhe vetë stërpiket me gjak. Në aktin e fundit, po i njëjti personazh femëror prapë paraqitet, në skenën që mbaron me monologun e një vajze të re. Krejt drama frymon me atmosferë misterioze, të cilën shkrimtari i ri, duke e përshkuar galerinë e pasur të personazheve, ka arritur t’i sendërtojë dhe në atë mënyrë t’ua afrojë publikut bashkëkohor. Në intervistën e shkurtër të dhënë para kësaj shfaqjeje Almir Imshireviq na ka thënë: “Unë nuk mund të shkruaj dramë mbi luftën!”
Hetimi.
HETUESI: Kush është njeriu në fotografi?
ISHAK: Nga e keni marrë atë fotografi?
HETUESI: Është gjetur në kuletën tuaj. Kush është ky njeri?
ISHAK: Rejmoni, mik imi. Ai është gazetar nga Amsterdami. Rejmoni është i mirë … i pat ardhur keq kur pat dëgjuar se jemi ndarë … edhe ajo e pat dashur Rejmonin, thoshte se ia përkujtonte dajën e vet që ishte zhdukur në luftë.
HETUESI: Çka ka ndodhur me të?
ISHAK: Paj, është zhdukur kur …
HETUESI: Nuk po ju pyes për dajën.
ISHAK: Epo, Rejmoni ka qenë i zënë rob … ka qenë në llogore plot gjashtë muaj. Ai nuk di boshnjakisht … di anglisht, frëngjisht dhe spanjisht, por nuk di boshnjakisht … Më ka treguar mbi një rojtar, i cili natë për natë kishte kënduar para hangarit në të cilin kishin qenë të vendosur.
HETUESI: E tash ku është Rejmoni?
ISHAK: Është kthyer në Amsterdam.
HETUESI: Kur jeni dëgjuar për herë të fundit me të?
ISHAK: Goxha moti. Ma ka dërguar një letër.
HETUESI: Në lidhje me çka të ka shkruar?
ISHAK: Mbi pëllumbat.
HETUESI: Çfarë të ka shkruar mbi pëllumbat?
ISHAK: E di, ai banon në një mansardë dhe shpesh i shikon pëllumbat. Thotë se fërfëllima e krahëve të tyre ia përkujton një fjalë boshnjakishte që e kishte mësuar në llogore.
HETUESI: Cilën fjalë?
ISHAK: “Ta qifsha!”
HETUESI: Nuk po kuptoj. Çfarë do të thotë kjo?
ISHAK: Asgjë. Pëllumbat e Amsterdamit flasin boshnjakisht.
Llogorxhiu është ulur në dysheme. Pranë tij shëtit roja.
ROJTARI: Rejmon! Fol!
REJMON-PADIJA: Unë nuk e di se çfarë doni prej meje?! Po, kam qenë në atë tramvaj. Cili numër? Treshi, ku ta di. I riu me fanellë të zezë? Ka mundësi … nuk e di … mua nuk më interesojnë punët e tjerëve, bile as që ma ndien. I qëlluar? Në qafë? Kjo vërtet është çnjerëzore, por ç’më hyn në punë kjo, unë nuk kam lidhje me të. Njëfarë gruaje bërtiste? Kjo nuk më çudit aspak, ka aso ndodhish. Jo, nuk e di pse ka bërtitur. Që njëqind herë ju kam thënë, nuk e di. Po, ka mundësi ta kem parë më vonë. Nuk e di se ku … po ju them se nuk e di … Po, ka gjëra të përçudshme në jetë. Mua një kasap më ka biseduar se … unë, përnjëmend, nuk po kuptoj se çka doni prej meje?
ROJTARI-DHJETËRROKËSHI:
O i madhi Zot, ç’alamet çudie
O po bubullon, o toka po dridhet?
As po bubullon, as toka s’po dridhet,
Veç po gjuajnë në atë tramvaj.
Në Sarajevë qytetin e boshnjakëve
Pranë hotelit të lyer me të verdhë
Një plumb nëpër dritare është futur.
Kur këtë e panë zemrat e trishta.
Ajo gruaja që ishte aty pranë
vetërrëzohet nga trishtimi i madh.
Pas një kohë të shkurtër,
E pashë në afërsi të kishës
as nuk qan, as nuk i lutet Zotit.
Por sall kuvendon me një vashë.
Ndërsa vasha zemërftohtë
Sikur topth i akullores
Shikon qetë dhe i thotë zonjës
“Unë nganjëherë edhe katërmbëdhjetë herë!”
O Zot i madh, ç’alamet çudie!
Hetimi.
HETUESI: Atë natë, pas shfaqjes, keni fjetur me atë …
ISHAK: Pinim verë … ajo i pat blerë dy shishe në njëfarë kafeneje që quhej sipas emrit të një poeti. Unë kurrë …
HETUESI: Kurrë nuk pini?
ISHAK: Kurrë nuk i mbaj mend emrat e poetëve.
HETUESI: Në lidhje me çka keni biseduar?
ISHAK: Pinim … dhe qeshnim, ajo shpesh qeshte. Më ka thënë se ngandonjëherë mund të përjetojë orgazëm edhe nga 14 herë … dhe se për këtë arsye qeshte. Thoshte se gratë e tjera këtë nuk mund ta bëjnë.
HETUESI: Pastaj a e pate … e di? A e keni?
ISHAK: Me mua pat përjetuar orgazëm sall pesë herë. Pastaj rrinim shtrirë, ashtu, ajo e pat ndezur TV dhe i shikonte lajmet … Ia nisi të tërbohej ngase një politikan ia fuste kot, ashtu pat thënë: “Po gënjen!” Ajo ishte qesharake. Mua politika nuk më intereson. Pastaj edhe ajo qeshi nja dy herë, ama nuk e di përse.
POLITIKANI NË TV-GËNJESHTRAT: Kjo ka qenë në autobusin numër 6, në Beograd. Kalonim pranë hotelit “Moskva”, kur nga parku i afërm dikush hodhi një gur dhe e qëlloi një plak 66 vjeç, që kishte veshur një setër të bardhë. Pranë tij qëndronte në këmbë një vajzë e re me këmishë të zezë, e cila zuri të qeshej. Pas katër orësh e kam takuar në Kalemegdan, ka qenë në shoqëri me njëfarë rojke plakë, e cila i tha: “Unë ngandonjëherë mundem edhe nga 28 herë!” E pështyu çamçakëzin dhe vazhdoi të shikonte me trishtim.
VAJZA NË SHTRAT-MOHIMET: Kjo nuk pat ndodhur as në Londër, as në Romë, as në Nju-Jork, por në Sarajevë. Kjo nuk pat ndodhur as në anije, as në tren, as në autobus, por në tramvajin numër tre. Nuk ka qenë ai as plak, as fëmijë, por një i ri. Nuk ka qenë as gur, as top bore, por plumb. Nuk ka qenë as pëshpërimë, as klithmë, por britmë. As nuk qëndronte në këmbë, as nuk rrinte ulur, por ishte shtrirë i vdekur. Kjo nuk ka ndodhur as para pesë ditësh, as dy muaj më pas, por po në të njëjtën ditë. Kjo nuk ka ndodhur as te xhamia, as te sinagoga, por te Katedralja. Nuk ka qenë as kalimtare e rastit, as gazetare, por shoqe. Nuk ka qenë kjo as thashetheme, as shpifje, por ka qenë rrëfim.
Hetimi.
HETUESI: A të pat thënë përse po të braktisë?
ISHAK: Pat provuar … nuk dinte si ta shpjegonte … atëherë ia nisi të qante.
HETEUSI: Ju çfarë bënit?
ISHAK: E shikoja vrajën e saj të vogël në buzën e sipërme.
HETUESI: Domethënë, kurrë nuk e ka përmendur se e kishit tradhtuar?
ISHAK: Jo.
HETUESI: Nuk keni provuar t’i thoshit?
ISHAK: Si?
HETUESI: Kurrë nuk e keni pranuar? As tash nuk po e pranoni?
ISHAK: Nuk më është dashur, ajo këtë e pat hetuar. Kjo gjithmonë hetohet.
HETUESI: A pate provuar të bësh ndonjë gjë, të ndryshosh?
ISHAK: Çfarë? Çfarë kam mundur …
HETUESI: Ta lusësh të të falte!
ISHAK: Atë nuk kam … nuk kam mundur … kam dashur të bisedoja, kam dashur t’i them …
HETUESI: Çfarë do t’i thoshit?
ISHAK: Nuk e di. Atë ditë, thjesht, pata vendosur për t’i thënë … diçka … nuk e di se çka. Ishte ditëlindja e saj dhe unë ia çoja një dhuratë … po, ajo me shkronjën “c”. Nëna më thoshte që mos të shkoja, kishte frikë, e dini? Nuk mundi të më ndalonte. Në tramvaj pata filluar të mendoja se çfarë do t’i thosha.
VAJZA E ISHAKUT: Jo, nuk e kam parë. Kam kujtuar se do të vinte … kam qenë e sigurt se do të vinte … dëshiroja të vinte. E dinte se e kisha ditëlindjen … s’ka mundur ta ketë harruar, nuk besoj, ai kurrë nuk ka … Më s’kam mundur të rrija në shtëpi dhe atëherë dola. Rrija në “Kafenenë e qytetit” … gjatë kam ndenjur. Po … kam menduar mbi të … vetëm të kishte ardhur … të gjitha do të … Nuk ka dashur të vinte, ka mundur! Kretini e dinte se do ta prisja, e dinte! Po të më donte, do të vinte … do të vinte. Po, gjatë kam ndenjur. Më kujtohet, shikoja në dritaren e kafenesë … nja dy gra qëndronin përpara dhe kuvendonin. Ajo e reja ishte e bukur … në një çast m’u duk se më pat shikuar … m’u duk. Lëpinte akullore dhe qeshte. Ishte e lumtur … do të doja të kisha mundur ta dëgjoja se për çfarë fliste …
DASHNORJA E ISHAKUT: Jo, atë ditë nuk kam qenë në kurrfarë tramvaji. E sigurt jam se nuk kam qenë. Përveç kësaj, unë nuk vozitem me tramvaj. Po, në qytet kam qenë … kjo është e sigurt. E kam takuar një të njohur … po, te “Kafeneja e qytetit”. Ka qenë e shqetësuar, nuk e di, kishte parë njëfarë fatkeqësie në tramvaj, njashtu diçka, nuk e di. Një i ri ishte vrarë, e çka … Po ju them, tramvajet janë mutsihane. Trenat janë për merak, ama tramvajet … po, bash isha duke i treguar se si jam qirë një herë në tren me një tip. Kjo është diçka fantastike. Kam përjetuar orgazëm 14 herë. Paj, trenat janë “cool”.
Hetimi.
HETUESI: A ka pasur tollovi në tramvaj?
ISHAK: Paj, ashtu … Mendoja se si është më së miri t’ia pranoj të gjitha … ah, po, një grua me këmishë të bardhë ma kishte shkelur këmbën …
HETUESI: Në cilën ndalesë ka ndodhur kjo?
ISHAK: Nuk më kujtohet … asgjë më nuk më kujtohet.
SNAJPERISTI: Ndërrimin e pata marr fiks në orën 14. Gjendesha në pozicionin mbi varrezat e hebrenjve. Rregullova mekanizmin e nishanit për të gjuajtur nga distanca prej 1 500 metrash, mbusha karikatorin, kontrollova sustën dhe mekanizmin qitës, pastaj fillova të vëzhgoja. Dita ishte me diell dhe dukshmëria ishte shumë e mirë. Tramvajin armiqësor e pata vërejtur në orën 14 e 23 minuta. Me një të shtënë e kam eliminuar personin armiqësor me fanellë të zezë. Goditja në qafë. Pastaj kam vazhduar vëzhgimin. Armiku rrinte i qetë. Mbasandej i kam vërejtur dy gra armiqësore, qëndronin në afërsi të Katedrales armiqësore. Më e reja në moshë diçka telendiste dhe lëpinte akullore armiqësore, por nuk kam mundur të veproja, ngase distanca ishte tepër e madhe.
Aktori i cili e ka luajtur Ishakun ngritet nga karrigia, merr çadrën-shpatën dhe në gjysmerrësirë fillon dyluftimin me Snajperistin.
ISHAK-CYRANO: Si aktor që e ka ditur përfundimin e dramës, që më parë po të lajmëroj, publik i botës: Do t’ju ther në fund të baladës! (Snajperistit) Kjo është pak! Po të kisha gjuajt’, s’kisha prit, kur të pyet dikush ja çka do të thosha. Praktikisht: “Unë kësaj radhe pa lidhje kam shpenzuar, ngase plumbi më shtrenjtë se bileta më ka kushtuar!”
Në mënyrë agresive: “Kujtoni se çdokush këtë mund ta bëj, të gjuash cakun në lëvizje, besomëni, s’është bash kollaj!”
Bujarisht: “Pa dyshim, secila zonjë mua më përkulet, sepse ç’prej se unë punoj në tramavaj secili mund të ulet”.
Kujdesshëm: “Unë kam gjuajtur, por nuk kam shikuar, vetë i ka fajet, ngase në këmbë ka qëndruar, e nuk është ulur!”
Ngazëllyeshëm: “Përvojë më të mirë zor mund të fitosh, vetëm nga kalibri më i madh mund të përfitosh!”
Shoqërisht: “Mos ua zini për të madhe shokëve të vërtetë. Posta nuk funksionon, por më është dashur të lajmërohem vetë!”
Pantomimë-vdekja në tramvaj.
ISHAK-CYRANO: Veshin e ke të vogël dhe nuk e dëgjon atë që e them me zë të ulët, pastaj në sy, edhe pse është më i vogël, ai nxënë më shumë.
Në skenë dalin Hetuesi dhe Moderatori.
HETUESI: Rast krejt i thjeshtë, i dashuri im, krejt i thjeshtë. Me fjalë të tjera, krejt banal.
MODERATORI: Aktorët janë të lodhur.
HETUESI: Unë jam i lodhur. Tash të gjitha i dini, jua kam zbuluar të gjitha imtësitë, s’ka kurrfarë fshehtësie. Teoria ime prapë është treguar e drejtë.
MODERATORI: Po, të gjitha i keni shpjeguar … të gjitha përpos një imtësie të vockël.
HETUESI: Cilën? Për çka e ke fjalën?
MODERATORI: Ende nuk e dini se çfarë është dhurata në shkronjën “c”.
HETUESI: Dhurata? Prit … sall t’i shikoj shënimet e mia … Nuk është e mundur që … Capin? S’është? Careqe? Cekin? Celer? Celofan? Celuloid? Cement? Cener? Centralë? Cepelin? Ceradë? Cigare? Nuk është cigare? Cianur? Ciklamin? Cilindër? Cimbal? Cimer? Cinkit? Cinabarit? Caruqe? Cirkus? …
ALMIR IMSHIREVIQ: S’ka pasur kurrfarë Ishaku. Por edhe nëse ka pasur, ashtu nuk është quajtur. Atë ditë, në ditëlindjen e saj, jam vozitur pranë hotelit “Holiday Inn”. Snajperët nuk shtinin … nuk e di pse. Vrisja mendjen se çfarë t’i them, por papritmas … sikur të ma kishte huqur Amori gjoksin dhe më qëlloi në qafë. Nuk kam mundur të flisja. Kam dashur … përnjëmend kam dashur, ama ajo shigjetë … më pat mbetur në fyt. Për këtë ditëlindje është dashur t’i dhuroja diçka me shkronjën “d” … po, pavarësisht që më nuk jemi së bashku. Diçka me shkronjën “d”. Dy orë më pas, në afërsi të “Kafenesë së qytetit”, m’u kujtua. Do t’ia dhuroj dramën! Jo mbi luftën, tashmë këtë ua kam thënë: Unë nuk mund të shkruaj dramë mbi luftën!
FUNDI I PARË
Aktorët rrinë ulur në karrige dhe i ushqejnë pëllumbat.
MODERATORI: Në jetë e vërtetë është ajo që është, që ekziston, që njeriu pa kurrfarë dyshimi e di. Në skenë, e vërtetë quhet ajo që nuk ekziston në realitet, por që do të mund të ndodhte. Vendosni se çfarë është për ju më interesante dhe më e rëndësishme, asaj që ju dëshironi t’i besoni.
Moderatori merr një pëllumb të padukshëm, ia përkëdhel krahët.
MODERATORI: Sikur të ishte kjo shfaqje dhe sikur të ishte ky fundi i saj … sikur të ishte ky fundi …
Moderatori lëshon pëllumbin, të cilin të tjerët vazhdojnë ta përcjellin me shikim.
TË GJITHË: Taqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifshataqifsha …
ALMIR IMSHIREVIQ: Ta qifsha!
FUNDI I DYTË
/Botuar në revistën “Akademia”, nr. 6/Telegrafi/