Presioni i lartë i gjakut, i njohur edhe si hipertensioni, është shkaktari kryesor i shumë sëmundjeve kardiovaskulare, prandaj mjekët e quajnë shpesh ‘vrasësi i heshtur’.
Niveli i presionit të gjakut të një personi mesatar të shëndetshëm nuk duhet të kalojë 120/80 mm Hg. Ajo që mjekët theksojnë për këtë gjendje është se simptomat janë më të vështira për t’u vërejtur.
Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, presioni i lartë i gjakut nuk ka simptoma të dukshme që të tregojnë se diçka nuk është në rregull. Prandaj, është mirë që të merren masa parandaluese në mënyrë që shtypja e gjakut të kontrollohet, pasi nuk mund të shërohet plotësisht.
Megjithatë, ka disa shenja paralajmëruese që mund t’ju ndihmojnë ta zbuloni këtë gjendje. Gjegjësisht, mjekët theksojnë se dhimbjet e forta të kokës dhe gjakderdhjet nga hundët janë ndër simptomat e para.
Në shumicën e rasteve ekstreme, mund të ketë një dhimbje koke me gjakderdhje hunde, veçanërisht kur presioni i gjakut është më i lartë se 180/120 mm Hg – thonë nga Shoqata Amerikane e Zemrës.
Përveç kësaj, ata theksojnë se personat me tension të lartë kanë edhe frymëzënie. Kur një person vuan nga hipertensioni i rëndë pulmonar, që është presioni i lartë i gjakut në enët e gjakut që furnizojnë mushkëritë, ai mund të përjetojë frymëzënie me ngarkesën më të vogël fizike. /Telegrafi/