Telegrafi

Sigurimi i automjeteve përplasë Ministrinë e Infrastrukturës me MPB-në

Ndryshimet e Ligjit për Automjete përveç që kanë prodhuar pakënaqësi te qytetarët, kanë përplasur edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), rreth aplikimit të tij.

Lexo po ashtu Gjoba deri në 10 mijë euro, për ndryshimin e kilometrave të kaluar në automjete

Në Ministrinë e Infrastrukturës, kanë thënë se në ligj nuk shënohet askund se nuk vlen sigurimi i vjetër i veturës nëse ai ka ende, kurse në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), e cila funksionon në kuadër të MPB-së kanë thënë se sigurimi i veturës duhet të bëhet nga fillimi, pavarësisht validitetit të tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha ka thënë për Telegrafin se me rastin e regjistrimit të veturës pronari i ri duhet që nga fillimi të bëjë pagesën e sigurimit të veturës.

Lexo po ashtu Ligji i ri nuk i mbyllë të gjitha mundësitë për të pasur automjet pa patentë shoferë, kjo është mënyra për regjistrim

“Çdo ndryshim te automjeti duhet të bëhet nga fillimi. Edhe pagesa e regjistrimit duhet të bëhet nga fillimi duke përfshirë edhe tabelat”, ka thënë Hoxha.
Por në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kanë thënë se në Ligjin për Automjete nuk shkruan as kund se nuk vlen sigurimi i vjetër i veturës, nëse ai ka ende validitet.

Lexo po ashtu Me Ligjin e ri për automjete do të ketë kontrolla teknike mobile në rrugë

Drejtori i Departamentit të Automjeteve në MI, Nebih Shatri, i cili ka qenë edhe bartës i hartimit të këtij ligjit ka thënë për Telegrafin se nuk di se ku e ka marrë MPB-ja. “Askund në Ligjin për Automjete nuk shkruan se nuk vlen sigurimi i veturës. Neni 54 tregon për mënyrën e vazhdimit të sigurimit por as kund nuk e ndalon sigurimin e vjetër”, ka thënë Shatri.

Por Neni 54 i Ligjit për Automjete, flet për kushtet që duhet të plotësohen për regjistrim e automjetit.

“1. Mjeti regjistrohet në bazë të kërkesës së pronarit, kërkesës duhet t’i bashkëngjiten:
1.1. Dëshmia e origjinës dhe pronësisë së mjetit ose pjesëve të veçanta të montuara si shtesë;
1.2. Certifikata e konformitetit ose homologimin për regjistrim, në rastin e mjetit për të cilin kërkohet certifikata ose pëlqimi në përputhje me këtë ligj;
1.3. Dëshmia e kompletimit të sigurimit të obligueshëm të përgjegjësisë ndaj palëve te treta për mjetet, ndërsa për mjetet e transportit publik të udhëtarëve kërkohet edhe dëshmia e sigurimit të udhëtarëve;
1.4. Dëshmia e gjendjes së rregullt teknike të mjetit, përveç mjeteve ku kontrollimin teknik nuk e kanë të obliguar. Dëshmia e kontrollit teknik të mjeteve është valide për 30 ditë.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, mund të regjistrohet mjeti i vjetër muzeor”, theksohen në nenin 54 të këtij ligji.

Lexo po ashtu Regjistrimi i motoçikletave vetëm me patentë shoferë

Telegrafi ka kontaktuar disa kompani të sigurimeve të cilat ofrojnë polisa të sigurimeve, të cilat kanë thënë se Ligji i ri për Automjete ka bërë që të kenë hutime te qytetarët, por që ata tregojnë se sigurimi i vjetër nuk vlen te pronari i ri i mjetit. Sipas tyre ata janë duke ua rimbursuar parat e mbetura nga sigurimi ndonëse nuk kanë ndonjë bazë ligjore ku i referohen.

Sipas zyrtarëve të kompanive të sigurimit, polisa e sigurimit duhet të bëhet nga fillimi me një validitet 1 vjeçar. /Telegrafi/