Telegrafi

Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi tjetër i madh, flasin Rina Basholli e Hekuran Doli

Në serinë e gjashtë të “Përballje Podcast” është diskutuar për sigurinë kibernetike dhe rreziqet nga dezinformimi.

A është dezinformimi kërcënimi tjetër i madh? A të jemi të përgatitur për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike dhe si ndodhin ato? Ku qëndron Kosova në luftën kundër krimit kibernetik? A ka investuar vendi ynë në sigurinë kibernetike e sa jemi të rrezikuar?  Si qëndrojnë mediat në aspektin e sigurisë kibernetike?

Për këto tema kanë folur:  Rina Basholli – Eksperte në fushën e sigurisë kibernetike e Hekuran Doli – Ekspert i sigurisë kibernetike.

Rina Basholli, tha se siguria kibernetike ose siç njihet ‘Cyber Space’, është diçka shumë e prekshme për secilin individ.

“Po jetojmë në një kohë kur të gjitha pajisjet ndërlidhen mes vete për të transmetuar informata ose transaksione të ndryshme. Nëse ne çdo ditë i përdorim këto pajisje, pra telefonin, laptopin dhe çdo pajisje që kyçet në këtë Cyber Space, atëherë pa dashje jemi të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike dhe secili prej nesh duhet të jetë i vetëdijshëm kur ndërmerr një hap të tillë. Në momentin që e kap telefonin me u lidh me ndonjë lajm, ti duhet të jesh i vetëdijshëm që je i ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike”, u shpreh Basholli.

Rina Basholli- Eksperte në fushën e sigurisë kibernetike, foto: RIdvan Slivova

Ajo më tej foli edhe për dezinformimin si kërcënim real që i kanoset secilit në ditët e sotme. Ekspertja e sigurisë kibernetike tha se nëse çdo ditë jemi të ekspozuar ndaj portaleve dhe ndaj mediave sociale, atëherë jemi pavetëdijshëm të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme.

“Kështu që, kur të vjen diçka e servuar në pjatë në një farë forme ose në telefonin tëndin, atëherë jo gjithmonë është kredibile edhe i mbetet te individi që e ka marrë informatën, me vlerësu në qoftë se informata në fjalë është kredibile ose jo”.

Ndërsa eksperti tjetër i  sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, i ftuar në “Përballje Podcast” foli për rëndësinë e kujdesit ndaj sigurisë kibernetike, për të cilin tha se është po aq i rëndësishëm sa kujdesi personal.

Mirëpo sipas tij, në internet dhe në sferën teknologjike kibernetike, sulmet janë shumë më dinake sesa që mund të jenë në rrafshin fizik, individual e personal.

“Sot nuk mundesh me e imagjinu jetën pa internet. Dhe si rezultat, nuk mundesh me e imagjinu personalitetin tonë të pandikuar nga interneti dhe teknologjia në përgjithësi. Prandaj, kujdesi ndaj sigurisë kibernetike është po aq i rëndësishëm sa kujdesi ndaj sigurisë personale. Mirëpo për dallim, në internet dhe në sferën teknologjike kibernetike, sulmet janë shumë më dinake sesa që mund të jenë në rrafshin fizik, individual, personal jashtë sferës teknologjike”, tha Doli në serinë e radhës të “Përballje Podcast” me autor Muhamet Hajrullahu.

Hekuran Doli- Ekspert i sigurisë kibernetike, foto: Ridvan Slivova

 

Ai tutje u shpreh se pasojat e sulmeve kibernetike të çfarëdo lloji vërehen shumë më vonë, e njëjtë sipas tij ndodh edhe më dezinformimin.

Në këtë seri të “Përballje Podcast”, që po realizohet një herë në muaj po diskutohen tema si dezinformimi, keqinformimi, edukimi medial dhe qëndrueshmëria e mediave.

Emisioni “Përballje Podcast”, Hekuran Doli, Rina Basholli dhe autori Muhamet Hajrullahu, foto: Ridvan Slivova

 

“Përballje Podcast” realizohet me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në Kosovë. Opinionet e shfaqura në këtë podcast nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet dhe qëndrimet e NDI dhe USAID. /Telegrafi/